5.6 C
Tetovo
E premte, 14 Nëntor, 2025
BallinaLajmeKrenar Lloga tërhiqet nga Aleanca për Shqiptarët e Selës: Vendimi nuk ishte...

Krenar Lloga tërhiqet nga Aleanca për Shqiptarët e Selës: Vendimi nuk ishte i lehtë

Ish-ministri i Drejtësisë dhe një nga figurat kryesore të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës, Krenar Lloga, ka njoftuar sot tërheqjen e tij nga jeta partiake dhe nga të gjitha funksionet që ka mbajtur brenda subjektit. Lajmin e ka bërë publik vetë ai përmes një deklarate të gjatë, ku shpalos arsyet, reflektimet dhe mirënjohjet pas më shumë se dhjetë viteve angazhim politik.

Lloga thotë se vendimi nuk ka qenë i lehtë, pasi gjithë angazhimi i tij politik ishte i ndërtuar mbi përkushtim të madh, sakrificë dhe beteja që kanë lënë gjurmë si te ai, ashtu edhe te bashkëpunëtorët.

“Kam njohur bashkëpunëtorë besnikë e të palodhur, ashtu siç kam njohur edhe të tillë që nuk e përballuan rrugëtimin e gjatë e plot sfida”, shkruan ai, duke shtuar se këto vite kanë qenë një periudhë e vërtetë e përplot sfida dhe përballje.

Ai nuk la pa theksuar as momentet kur mund të ketë lënduar dikë: “Gjatë debatesh, kritikash e përplasjesh mund të ketë ndodhur që të kemi bërë diçka edhe me tepri, e nëse dikush është ndier i prekur, ky është momenti që t’i kërkoj ndjesë”.

Në deklaratë, Lloga kujton edhe rolin e tij drejtues në parti – nga sekretar i përgjithshëm e deri te nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët. Ai shpreh mirënjohje për aktivistët dhe mbështetësit e partisë, duke përfshirë edhe votuesit e Frontit Europian dhe të Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim.

“Pa mbështetjen e njerëzve tanë nuk do të ishte e mundur që të mbaja këto përgjegjësi,” shkruan ai.

Lloga shpalos edhe pjesë nga e kaluara e tij familjare, duke shpjeguar se është rritur në një ambient të formuar nga përballja me regjimin e atëhershëm jugosllav dhe sfidat e identitetit shqiptar.

Ai tregon se dy vëllezërit e tij mbetën pa emra deri në klasën e parë, sepse regjimi nuk lejonte emra shqiptarë. “Jam rritur me të burgosur politikë, të diferencuar e të përndjekur; rritur me frymën e rilindjes kombëtare dhe atdhedashurisë,” shkruan ai, duke theksuar se këto vlera do ta shoqërojnë gjithmonë, pavarësisht rolit të tij publik.

Edhe pse po largohet nga politika partiake, Lloga thotë se mbetet i përkushtuar ndaj çështjeve shoqërore dhe ndaj Maqedonisë së Veriut si një shtet që duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët e saj – shqiptarë, maqedonas, turq, vllehë, boshnjakë e të tjerë.

“Do të vazhdoj të jem mes jush, por tashmë në një vallëzim më të lirë e pa koreografi – një solist që do ta bëjë me shpirt të lirë dhe me dashuri për njerëzit”, përfundon ai.

Tërheqja e Llogës vjen në një moment të ndjeshëm për Aleancën për Shqiptarët, e cila pas zgjedhjeve të fundit lokale po përballet me ristrukturime të brendshme dhe lëvizje të shumta brenda partisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments