Sot në konferencë për media Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj ka konfirmuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiçit. Ka thënë se s’mund t’i bëjë publike arsyet për shkak të hetimeve.
“Unë e kam dhënë pëlqimin. Arsyet nuk mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, janë çështje të hetimit”, ka deklaruar Isufaj, në konferencën e fundvitit të organizuar nga PSRK-ja.
Ai ka thënë se urdhërarresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet, shkruan Reporteri.net.
Sa i përket udhërarrestit ndaj Radoiçiçit, ai është komplet çështje e brendshme e Prokurorisë, të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për rastet që ne i trajtojmë. Ai s’ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërhequr për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthyer”, ka thënë Isufaj.
Isufaj ka komentuar edhe deklaratat e ish-prokurorit special, Sylë Hoxha, i cili kishte thënë se ka pasur njerëz që i kanë çuar fjalë për të tërhequr urdhërarrestin ndaj Radoiçiçit.
“Pyetne atë, pse ai s’ka ndërmarrë. Këtë informacion e kam marr prej mediave. Kurrë s’ma ka thënë mua. Secili që ka mundur t’i thotë diçka ka mundur ta arrestojë”, ka thënë Isufaj.
Pas kësaj deklarate reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti.
“Drejtësia do të duhej të ishte e pavarur dhe ajo është e pavarur vetëm në sensin ndërinstitucional. Jo rastësisht aktgjykimet kanë frazën ‘’Në emër të popullit’’, sepse sikur secili institucion shtetëror i nënshtrohet vullnetit të shprehur të popullit që i shërben dhe prej nga e merr legjitimitetin. Pra, drejtësia është e pavarur vetëm kur ajo njëmend është në përputhje me vullnetin e popullit. Cenimi që Serbia për mbi 20 vjet i ka bërë rendit juridik dhe kushtetues në veri të vendit me në krye akter terrorist si Milan Radojçiq, veriu, siguria kombëtare nuk janë thjesht çështje të ftohta juridiko-penale të një prokurori apo kryeprokurori që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet pse i ka hequr fletarrestin dikujt si Milan Radojçiq. Dhe pikë, siç shprehet ai”, shkruan Haxhiu.
Sipas saj, po të mos i hiqej fletarresti Radoiçiqit, operimi i tijj në veri do të ishte i pamundur.
“Po të mos hiqej fletarresti (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë?”, shkruan tutje Haxhiu.
Ministrja thotë se Prokuroria duhet t’i shërbejë Republikës dhe vullnetit të popullit.
“Nuk e di a ndani edhe ju me mua habinë. Si është e mundshme që Milan Radojçiq e pranon që ka kryer krimin dhe nuk ka aktakuzë”, ka thënë Kryeministri Kurti gjatë një vizite në Telekomin e Kosovës.
“Unë besoj që nuk duhet as me kry Fakultetin juridik e as nuk ka nevojë me pas Bachelorin, Masterin ose Phd dhe as nuk ka nevojë me qenë prokuror e as gjykatës por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarëve të Republikës e identifikon një absurditet të tillë”, ka shtuar ai.
Ndryshe, në shkurt të 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë kishe aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër arrestit ndaj Milan Radoiçiqit. I njëjti ishte i dyshuar se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Vendimi ishte marrë me 23 shkurt të atij viti, ndërkaq urdhër arresti ishte lëshuar më 14.08.2020.
“Gjykata më datë 19.02.2021 e ka pranuar kërkesën për tërheqjen e urdhërarrestit nga Prokuroria Speciale të datës 19.02.2021 me arsyetimin se duke u bazuar në të dhënat e raportit të Policisë së Kosovës për përfshirjen e të dyshuarit Milan Radoiçiq në kryerjen e veprave tjera penale dhe fakti se që nga koha e lëshimit të urdhërarrestit të parë, nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhej në vendim.