Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri të dielen më 02.03.2025 në orën 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 89 nga 187, të votave me postë jashtë Kosovës.
“Aktualisht, të dielën pasdite, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit që u takojnë komunave Prishtinë, Prizren, Podujevë, Pejë, Rahovec, Gjilan, Lipjan dhe Istog”- thuhet në njoftim.
KQZ bën të ditur se pas përfundimit të numërimit, rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas komunave, të cilave u takojnë votuesit e regjistruar, brenda një kohe të shpejtë do të shfaqen në platformën: https://rezultatet2025.net.Numri i pakove të supozuara me fletëvotime dhe që janë aprovuar nga KQZ, pas procesit të vlerësimit, është më shumë se 63 mijë sosh”- theksohet tutje në njoftim.Në ndërkohë, pas numërimit të mbi 30% të votave me postë – shtuar votave nga vendvotimet e rregullta dhe misionet diplomatike, njohësi i proceseve zgjedhore nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka prezantuar projeksionet e ndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës.
Cakolli ka shkruar në Facebook se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e para me shumicën e votave me postë, por sipas tij është dukshëm larg nivelit të përkrahjes sikur në votat në misionet diplomatike.
“Ajo çfarë bie në sy është një performancë tejet pozitive e LDK-së, e një e dobët e PDK-së” – thotë ai.
Megjithatë, siç shkruan Cakolli, procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, dhe trendet e votave të mbetura mund të sjellin disa prej ndryshimeve.“LVV është afër sigurimit të 49 mandateve, por që ta arrijë këtë, duhet të fitojë mbi 60% të të gjitha votave me postë. Me trendin aktual, kjo është e mundur, por jo e garantuar. LVV mund të arrijë edhe në 50 mandate, nëse fiton rreth (+) 70% të votave me postë. Me trendet e deritanishme, kjo është vështirë e arritshme, por e mundur” – shkruan ai.
Me një trend të tillë, shprehet ai, LDK është vetëm disa qindra vota larg që ta marrë edhe një mandat nga PDK, dhe nëse vazhdon të performojë mirë në votat me postë, mund të arrijë 21 mandate.
“Nëse LDK rritet edhe më shumë, kjo mund të ndikojë në gjasat e LVV-së për të siguruar 49 mandate.”Cakolli vlerëson se PDK është në zonë kritike midis 23, 24 dhe 25 mandateve.
“Aktualisht është në 24 mandate, por afër t’a humbë një. E madje, nëse LVV shkon drejt 50 mandateve, PDK mund të humbasë edhe një mandat tjetër. Për t’i pasur 25 mandate, PDK-ja duhet t’i ketë mbi 13% të votave me postë – që është gati dyfishi i përqindjes që ka tash”- shprehet ai.
“Pavarësisht këtyre projeksioneve, rezultati përfundimtar thekson Cakolli, mbetet i hapur, pasi numërimi i votave me postë sipas tij, ka treguar se preferencat ndryshojnë në varësi të komunave.“Në këtë fazë të fundit, çdo ndryshim i vogël në votat e mbetura mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve” – ka shkruar Eugen Cakolli (KDI).
Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.90% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.03%. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46% të votave të fituara.