Kuvendi ka 120 deputetë që me të drejtë të plotë mund të vendosin lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe ky është një nga ato vendime që është në duart e tyre, thotë kryeministri Kovaçevski, i pyetur se si do të zhvillohet procesi i grupeve të punës pa opozitën. Ai bëri të ditur se procesi do të fillojë gjatë ditëve në vijim, vetëm pritet që Ministria e Drejtësisë të publikojë emrat e ekspertëve. Ndryshimet kushtetuese patjetër do të realizohen, sepse ne nuk kemi alternativë tjetër decid. Kovaçevski shtoi se as opozita si kundërshtare e këtij procesi nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje tjetër.
“Anëtarësimi në BE është qëllim strategjik i shtetit dhe të gjitha hulumtimet flasin se një numër dominant i qytetarëve duan anëtarësim në BE, sepse alternativë tjetër nuk ekziston. Ata që janë kundër anëtarësimit nuk na ofrojnë alternativë tjetër. Prandaj vlerësoj se deputetët kanë kapacitete demokratike, vizionare dhe strategjike që të sjellin vendim, një nga seritë e vendimeve për anëtarësim të vendit në BE, sepse është një proces për qytetarët.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski thotë se një herë e përgjithmonë duhet të bëhet e qartë se anëtarësimi nuk është proces i një qytetari, një partie apo një Qeverie, por është proces i gjithë shoqërisë. Prandaj të gjitha vendimet që do të ndërmerren për ndryshimet kushtetuese do të elaborohen para qytetarëve, sepse është një proces i gjatë që do të zgjat deri në vitin 2030 kur edhe do të anëtarësohemi në BE, thotë Kovaçevski. VMRO-DPMNE-ja opozitare vazhdon të mbetet në qëndrimin kundër ndryshimeve kushtetuese.