Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka komentuar deklaratën e djeshme të sekretarit të SHBA-ve, James O’Brien në lidhje me ndryshimet kushtetuese në vend, përcjell Telegrafi Maqedoni..
“Kush gënjen dhe kujt nuk mund t’i besohet, dje dëgjuam më së miri nga ndihmës sekretari i shtetit amerikan dhe nga i cili nuk duhet të blini as veturë dhe për të cilin as nuk duhet të votoni”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në Kuvend gjatë pyetjeve të seancës parlamentare.
Përgjigja e kryeministrit iu referua një deklarate të ndihmës sekretarit të SHBA-ve James O’Brien për “360 Gradë”, i cili tha se qytetarët janë mjaft të zgjuar për të gjykuar dikë që po përpiqet t’i mashtrojë me oferta më të mira që nuk ekzistojnë.
“Jeni duke shkuar drejt një periudhe zgjedhore. E dimë që çdo gjë është e vështirë në një periudhë të tillë. Nuk do të komentoj nëse gjërat do të ndodhin tani apo më vonë, por është e qartë se ka një ofertë në tryezë. Dikush mund të thotë se do të vijë me një ofertë më të mirë. Por nëse ajo nuk ju tregon saktësisht se për çfarë bëhet fjalë dhe pse të tjerët do ta pranonin, ajo thjesht po përpiqet t’ju mashtrojë. Dhe shpresoj që votuesit të jenë më të zgjuar se kaq”, tha dje O’Brien.
Ai shtoi se vendi ka një ofertë në tryezë dhe nëse dikush thotë se ka një ofertë më të mirë, por nuk do ta thotë tani, atëherë ai nuk është një person nga i cili do të blini as edhe një veturë.
“Epo, unë nuk mendoj se as ju duhet të votoni për ta. Por kjo është një zgjedhje që bëjnë votuesit këtu. Unë nuk votoj këtu. Njerëzit mund të zgjedhin atë që duan”, tha O’Brien.
Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-ve tha se mbështesin fuqishëm integrimin evropian të vendit sepse këtë e dëshirojnë shumica e qytetarëve.