Mbetem në qëndrimin tim se nuk ka vendi “Badenteri” në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse nëse vendoset ai mekanizëm për tema etnike atëherë më mirë është që gjykata të mbyllet. Këtë e theksoi kryetari i gjykatës Darko Kostadinovski, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të partive shqiptare për vendosjen e vendimmarrjes së dyfishtë në Gjykatën Kushtetuese për tema që kanë të bëjnë me çështje etnike.“Unë qëndrimin tim e kam thënë. Një mekanizëm i tillë është i përshtatshëm për organe politike, siç është Kuvendi dhe është mekanizëm i shëndoshë. Megjithatë në një institucion siç është Gjykata Kushtetuese që është institucion thjesht juridik, vendosja e një mekanizmi të tillë, ndoshta kam qenë brutal, por kam thënë më mirë është të mbyllet institucioni sesa të vendoset një mekanizëm i tillë. Pse, sepse në atë rast nuk do të vendosin argumentet kushtetuese-juridike, do të vendosin lloj tjetër argumentesh”, tha Darko Kostadinovski – Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Por me këtë qëndrim të Kostadinovskit nuk pajtohet edhe gjyqtari kushtetues Osman Kadriu. Ai në një intervistë për “Koha” tha se metoda e marrjes së vendimeve duhet të ndryshohet, respektivisht të futet Badenteri edhe në Gjykatën Kushtetuese sa më shpejt që të jetë e mundur.“Duhet patjetër të ndryshohet mënyra e vendimmarrjes dhe mënyra e votimit! E kemi thënë që nuk ka sens që Gjykata Kushtetuese të mundet me shumicë të thjeshtë, do të thotë me minimum 5 anëtarë të vendos për ligjet që sjell Kuvendi me shumicë të dyfishtë, ku votohen me 80 vota, ose ligjet që miratohen me Badenter. Ato nuk mund të abrogohen nga gjykata me 5 vota. Këtu duhet të intervenohet në Kushtetutë sa më shpejtë të parashikohet një shumicë, ku politikanët e përdorin termin shumica e Badenterit”, u shpreh Osman Kadriu – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Përveç vendosjes së këtij parimi për votim të dyfishtë për ligje nga çështjet etnike, për të cilat insiston nga BDI, ata kërkojnë edhe që zgjedhja e Qeverisë të votohet me shumicë Badenteri. Përveç BDI-së, me këtë pajtohen edhe nga VLEN.
