Tre sulmuesit e arrestuar në ngjarjen e së dielës në veri të Kosovës, ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku, janë dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku do të mbahet seanca.
Në departamentin special është parashikuar që që seanca të niste në orën 10:00. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave V.T. B.S dhe D.M. për vepra të ndryshme penale.
Sipas Prokurorisë, kërkesa është bërë kundër tre të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Nga ana tjetër, Gjykata Themelore Prishtinë caktoi masën e paraburgimit një prej sulmuesve serb me inicialet V.T., pas seancës dëgjimore e cila u mbajt në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për të hetuar bllokimin e një rrugë nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.
Pasi qëlloi ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, ndërsa përleshjet me policinë e Kosovës vijuan.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa arrestoi gjashtë të tjerë.
Ndërkohë në mbrëmjen e 25 shtatorit në një hotel në Banjska janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për armëmbajtje.