Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se Lista Votuese dhe regjistrimi i popullisë duhet të shihen ndaras.
Kjo pasi sipas tij në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezident të pranishëm në Kosovë në kohën kur është bërë regjistrimi, pra nuk përfshihen qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
Pra, sipas Elezit të dhënat e regjistrimit të popullsisë dhe të Listës Votuese nuk mund të barazohen.“Lista Votuese dhe regjistrimi i popullsisë duhet të shikohen ndaras. Në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezident të pranishëm në Kosovë në kohën kur është bërë regjistrimi, pra nuk përfshihen qytetarët që jetojnë jashtë vendit, ndërkaq, në Listën Votuese përfshihen shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit”.
“Andaj, të dhënat e regjistrimit të popullsisë dhe të Listës Votuese nuk mund të barazohen”, ka shkruar Elezi në Facebook.
Sipas rezultateve përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024), numri i popullsisë rezidente në Kosovë të regjistruar është 1 milion e 602 mijë e 515.
Elezi gjithashtu ka bërë të ditur se nesër (e hëne), do të hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike, të cilat janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ju njoftoj se shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbahet ditën e hënë, më 6 janar 2025, duke filluar prej orës 11:00”, ka thënë Elezi.