Një grup pune së shpejti do të fillojë punën për një ligj për mediat, që do të krijojë një kornizë ligjore për portalet dhe mediat elektronike në vend, duke promovuar transparencën, mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe inkurajimin e gazetarisë për përforcim të themeleve të një shoqërie demokratike, njoftoi dje ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, gjatë llogaridhënies për 100 ditët e para të punës së kabinetit të tij.
Duke iu referuar reformave në shërbimet mediatike, Aliu tregoi se pret që të votohen ndryshimet e propozuara në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAAV) që janë në procedurë kuvendore, si dhe se ndërhyrjet e mëposhtme ligjore në këtë fushë do të të jenë në përputhje me direktivat e BE-së dhe për përmirësimin e situatës në sektorin mediatik.
“Digjitalizimi, administrata publike dhe mediat janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e ambientit demokratik në vend, ndaj do të insistoj që ky ligj të përmirësojë hapësirën mediatike, jo ta përkeqësojë atë”, tha Aliu.
Ndryshimet e Ligjit në fazën e parë, janë të lidhura me qasjen në fonde nga Evropa Kreative, ndërsa së shpejti, siç njoftoi ai, do të përfundojë edhe pjesa e dytë e cila do të krijojë një kuadër ligjor për mediat private në vendin tonë.
“Ligji u nda në dy faza për shkak të Evropës Krijuese, shpresoj të votohet për tre-katër ditë. Faza e dytë, e cila ka pesë vite që po punohet, funksionon si asnjëherë më parë, ne jemi hapur për të gjithë ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë eko sistem mediatik. Sot kam një takim me mediat vendore. Është afër fundit, po punojmë së bashku me Zyrën e BE-së në Maqedoni, me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar dhe vlerësoj se në fund do të kemi një ligj në të cilin ne si qytetarë fillimisht do të jemi të kënaqur me transparencën e institucioneve publike, politikanët dhe menaxherët në institucionet publike, por do të jemi realisht të informuar për proceset që ndodhin në shoqërinë tonë”, tha Aliu në pyetjen e një gazetari.