Në mbledhjen e sotme (17.08.2025) të Kuvendit Qendror të Partisë Demokratike Shqiptare, pas raportimit të kryetarit të partisë lidhur me aktivitetet politike dhe bisedimet e zhvilluara kohëve të fundit, Kuvendi Qendror i Partisë Demokratike Shqiptare nxori këto konkluza:
1. Duke pasur parasysh situatën e vështirë në aspektin e politikës së brendshme në Maqedoninë e Veriut në raport me avancimin e procesit të inkuadrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe në të njejtën kohë mungesën e një dëshire për një dialog serioz dhe substancial sa i përket avancimit të të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, PDSH e refuzon pjesëmarrjen në këtë qeveri aktuale.
2. Njëkohësisht, duke marrë parasysh se z.Ahmeti dhe BDI-ja janë përgjegjësit kryesorë për këtë nënçmim dhe poshtërim të shqiptarëve, edhë në aspektin kohor -23 vjet në pushtet, Kuvendi Qendror vendosi që PDSH të mos ketë asnjë lloj bashkëpunimi e lëre më koalicion me BDI-në. Duke i shtuar kësaj se z.Ahmeti me vetëdije ka marrë si aleatë dy armiqtë e përbetuar të PDSH-së, duke mos kursyer asgjë për ta dëmtuar PDSH-në, kuvendi konstatoi se bashkëpunimi me z.Ahmetin dhe BDI-në është tërësisht i pamundur.
3. Zgjedhjet lokale janë çështje të administrimit lokal, janë zgjedhje administrative dhe nuk duhet të ketë askush iluzion se bëhet fjalë për përmirësim të pozitës apo të të drejtave të shqiptarëve. Bëhet fjalë vetëm për një periudhë të pazareve të errëta mes grupacioneve të ndryshme, që individë dhe grupacione të caktuara të marrin pushtetin, i cili për momentin u mungon apo të cilin për momentin duan ta forcojnë.
Në bazë të arsyeve të lartpërmendura, Kuvendi Qendor mori vendim që
Partia Demokratike Shqiptare të refuzojë pjesëmarrjen në këtë farsë politike të quajtur zgjedhje lokale 2025 dhe PDSH-ja të mos ketë kandidatë në këto zgjedhje. Qytetarët janë të lirë të vendosin vetë se si do të sillen në këto zgjedhje.
Kuvendi qendror obligon kryetarin e partisë z.Menduh Thaçi, por edhe strukturat tjera drejtuese të partisë që gjatë kësaj kohe t’i informojnë mundësisht sa më shumë dhe sa më drejt shqiptarët brenda Maqedonisë, Kosovën, Shqipërinë dhe Bashkësinë Ndërkobëtare për arsyet kryesore të refuzimit të pjesëmarrjes në këto zgjedhje lokale.