5 C
Tetovo
E diel, 17 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKomunat e zhytura në borxhe në Maqedoni, ja kush prinë

Komunat e zhytura në borxhe në Maqedoni, ja kush prinë

Komuna e Tetovës e mori vendin e parë nga komuna e Ohrit – doli në krye të listës së vetëqeverisjeve lokale me më shumë borxhe, me detyrime të prapambetura dhe të papaguara. Tetova është në vendin e 6-të të lartë në listën e 1,061 subjekteve shtetërore që raportuan detyrimet të prapambetura dhe të papaguara. Përveç komunave, borxhe milionëshe paraqesin edhe disa ndërmarrje publike të krijuara dhe të menaxhuara nga autoritetet lokale – me një borxh total në fund të qershorit me vlerë prej gati 51 milion euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Pozicioni i borxhit të komunave…

Me detyrime të raportuara të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej gati 7.9 milion eurosh, komuna e Tetovës, e kryesuar nga kryetarja e komunës, Teuta Arifi, është në krye të listës si “vetëqeverisja lokale me borxh më të madh në vend”. Kjo situatë e borxhit i referohet fundit të qershorit të këtij viti dhe krahasuar me situatën në fund të marsit, borxhi i Tetovës është rritur për 500,000 euro. Borxhe milionëshe ka raportuar edhe Ndërmarrja Publike Komunale “NPK Tetovë”, në vlerë prej 4 milion eurosh.

Në vendin e dytë me detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 6.9 milion eurosh është komuna e Ohrit, e kryesuar nga Konstantin Georgievski. Komuna gjithashtu raportoi edhe 60,000 euro të tjera si borxh i prapambetur për t’u paguar. Komuna e Ohrit për një kohë të gjatë e mbante vendin e parë sipas lartësisë së borxheve të cilat në fund të tremujorit të parë arritën në 7.4 milion euro, që tregon një tendencë të zvogëlimit të borxheve. Edhe Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi” Ohër tregon një humbje prej 1.2 milion eurosh.

Me një borxh të prapambetur dhe të papaguar prej 5.1 milion eurosh prapa Ohrit është komuna e Karposhit, e kryesuar nga Stefan Bogoev. Të tre komunat, Tetova, Ohri, Karposhi janë në top 10 në listën e borxhlinjve më të mëdhenj, e cila përfshin më shumë se një mijë subjekte nga sektori shtetëror dhe publik. Edhe në komunën e Karposhit, ka një trend të rritjes së borxhit krahasuar me tremujorin e parë për rreth 100,000 euro. Komuna gjithashtu raportoi edhe 169,000 euro të tjera si detyrimet të prapambetura.

Në vend të lartë në listën e borxhlinjve është edhe komuna ë Strugës, e kryesuar nga kryetari Ramiz Merko. Në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, Struga kishte detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 3.2 milion euro, ndërsa në fund të tremujorit të parë borxhi ishte 2.7 milion euro, që tregon një trend në rritje të borxheve edhe në këtë komunë. Edhe kjo komunë, si ato të mëparshmet, po zhytet në borxhe prej vitesh, me likuiditet të dëmtuar. Miliona borxhe ka raportuar edhe Ndërmarrja Publike NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimet” – Strugë, në vlerë prej 1,1 milion euro.

Ndër komunat me më shumë borxhe është dhe Dellçeva, ku kryetar i komunës është Goran Trajkovski. Kjo komunë tregon detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej gati 3 milion euro me një tendencë të zvogëlimit të lehtë të borxhit krahasuar me tremujorin e parë ekonomik. Vetëm këto pesë komuna raportuan një borxh total prej 26.1 milion euro.

Kjo listë e borxhlinjve përfshin, ndër të tjera edhe Gostivari me detyrime të prapambetura në vlerë prej 2.8 milion euro, komuna e Kërçovës me 1.9 milion euro, Saraji me 1.6 milion euro, komuna e Bërvenicës me 1.4 milion euro, komuna e Gjevgjelisë me 1.3 milion euro, komuna e Resnjës ka detyrime të prapambetura në vlerë prej 1.1 milion euro, komuna e Strumicës 1.1 milion euro, komunat e Studeniçanit, Demir Kapisë dhe Dibrës kanë raportuar borxh të prapambetura në vlerë prej 1 milion euro secila. Komunat e tjera kishin borxh më pak se 1 milion euro.

Në komunat që kanë probleme me pagimin e rregullt të borxhit, probleme financiare kryesisht kanë edhe Ndërmarrjet Publike të themeluara nga pushteti lokal. Në këtë listë të borxhlinjve gjendet edhe Ndërmarrja Publike “Kërçova” me një borxh prej gati 960,000 eurosh, Ndërmarrja Publike Komunale “Strugë” me detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 817,000 euro, Ndërmarrja Publike “Komunalec” Sveti Nikole me një borxh prej afro 800,000 euro, Ndërmarrja Publike për Punë Komunale “Berovo” me 707,000 euro. Ndërmarrjet e tjera publike tregojnë detyrime të prapambetura dhe të papaguara më të ulëta se 600,000 euro.

Pikërisht komunat dhe Ndërmarrjet Publike janë në krye të listës së subjekteve shtetërore me borxhe më të mëdha.

Kështu, borxhi i prapambetur dhe i papaguar në fund të qershorit në të gjitha komunat në vend është 55.8 milion euro, ndërsa bindshëm vendin e parë e mbajnë ndërmarrjet publike me një borxh prej 91.5 milion euro. Të gjithë institucionet shtetërore dhe subjektet nga të gjithë sektorët në nivelin qendror dhe lokal në fund të qershorit raportuan detyrime të prapambetura dhe të papaguara në shumë totale prej 281.4 milion euro./Ina-Portalb.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments