Komuna e Tetovës, informon opinionin se nga dita e hënë do të fillojnë punimet për hapjen e Bulevardit “Bllagoja Toska”, respektivisht punimet do të fillojnë nga pjesa afër shkollës së mesme tekstile dhe do të përfundojnë tek ura që gjendet tek spitali i qytetit.
Të gjithë përgatitjet kanë përfunduar siç janë zgjidhja e çështjeve pronësore juridike, ekspropejimi i tokës është bërë dhe tani nuk ka asnjë pengesë për fillimin e punimeve.
Hapja e këtij bulevardi është një ndër projektet e rëndësishme infrastrukturore i cili do të lehtësojë komunikacionin në Tetovë dhe do të krijojë kushte shumë më të volitshme për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Bulevardi “Bllagoja Toska” është nyja kryesore e qytetit pasi me hapjen e saj do të lehtësohet qarkullimi edhe në dy akset tjera kryesore në qytet.
Ekspertët nga komuna e Tetovës që nga fillimi i mandatit të kryetarit Kasami, kanë theksuar se një nga problemet parësore që duhet zgjidhur është hapja e këtij bulevardi, i cili tani po bëhet realitet. Për këtë janë dhënë të gjitha lejet e nevojshme. Shpresojmë që në një kohë shumë të shkurtër bulevardi do të jetë në funksion.
Ky ishte një nga premtimet parazgjedhore tona. Ne mbetemi të përkushtuar jo vetëm në hapjen e këtij bulevardi, por edhe të bulevardeve tjera dhe rrugëve që Tetova të marrë pamjen e një qyteti modern, si në vendet e zhvilluara.
Me respekt,
Zyra për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun
Komuna Tetovë