Komuna e Tetovës vazhdon të mos e japë listën e lokaleve (restoranteve dhe kafeneve) të cilat shfrytëzojnë hapsirat publike si tarraca dhe paguajnë për to, pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të Portalb.mk. Edhe pse nga komuna vazhdimisht zotohen se do të intervenojnë për lirimin e trotuareve bllokuara nga karriget dhe tavolinat të cilat i nxjerrin kafiteritë dhe restorantet, kjo në terren nuk po ndodhë. Shumë trotuare vazhdojnë të ngelen të ‘uzurpuara’ ku pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve.
Tani e disa muaj, Komuna e Tetovës injoron kërkesat e vazhdueshme të Portalb.mk për listën e lokaleve të cilat shfrytëzojnë dhe paguajnë për shfrytëzimin e hapsirave publike si tarraca.
Kujtojmë që kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjendet edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.
Nga ana tjetër, shumë kafene dhe restorante në Tetovë vazhdojnë të bllokojnë trotuaret dhe rrugët duke vendosur karrige dhe tavolina, kështu duke penguar lëvizjen e lirë nëpër hapsirat publike.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami vazhdimisht ka deklaruar se Inspektorati Komunal do të intervenojë dhe trotuaret do të lirohen, megjithatë në terren situata mbetet e pandryshuar.
- Përveç uzurpimeve dhe bllokimeve nga kafenetë dhe restorantet, ky problem është i përhapur edhe nga bizneset, marketet dhe shitoret e ndryshme.
Problem tjetër mbetet edhe uzurpimi i hapsirave për parkingje publike nga ana e bizneseve para lokaleve të tyre.