Komuna e Tetovës ka reaguar me një demant publik ndaj akuzave të ngritura nga BDI dhe iniciativa “Më mirë për Tetovën”, duke i cilësuar ato si manipulime në lidhje me projektin e digjitalizimit të sistemit të ujësjellësit.
Në reagimin zyrtar thuhet se projekti nuk paraqet koncesion apo privatizim të ujit, por synon t’i japë fund, siç theksohet, një praktike të gjatë ku qytetarët e rregullt kanë paguar faturat e atyre që keqpërdorin ose vjedhin ujin.
“Uji i Tetovës mbetet i tetovarëve. Ajo që po bëhet është vendosja e rregullit – fundi i mospagesës dhe i kyçjeve ilegale”, thuhet në demant.
Nga Komuna theksojnë se pretendimet se barra financiare do të bjerë mbi qytetarët janë të pabaza dhe cinike, duke shtuar se aktualisht qytetarët po përballen me një barrë reale për shkak të humbjeve të mëdha në sistem.
Sipas tyre, rreth 70 për qind e ujit humbet, keqpërdoret ose vidhet si pasojë e matësve të vjetruar dhe neglizhencës ndër vite.
“Çdo sistem publik funksionon mbi parimin e përgjegjësisë. Pa vendosjen e rregullit sot, humbjet nesër mund të arrijnë deri në 90 për qind”, paralajmërojnë nga Komuna.
Në reagim gjithashtu përmendet edhe menaxhimi i mbeturinave, duke theksuar se falë bashkëpunimit me kompaninë “Saubermacher” dhe ndërmarrjen rajonale Rusino, Tetova sot është më e pastër, duke e krahasuar këtë model me nevojën për rregull edhe në sektorin e ujit.
