Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara e mirëpriti vendimin e Bashkimit Evropian për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por kërkoi që edhe Kosovës t’i liberalizohen vizat me vendet e BE-së.
“Urime për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për vendimin e BE-së për të nisur bisedimet. Edhe në këtë kohë të vështirë është mirë që BE-ja t’i mbajë premtimet e saj për të nisur procesin e anëtarësimit me partnerët tanë në Ballkan”.
“Por, BE-ja gjithashtu duhet të mbajë premtimin e saj për Kosovën, që t’i ofrojë liberalizimin e vizave. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe meriton të trajtohet njëjtë sikurse fqinjët e saj”, thuhet në një postim në Twitter të Komitetit për Punë të Jashtme, që kryesohet nga kongresisti Eliot Engel.
Komentet vijnë në kohën kur e gjithë bota po përballet me pandeminë e sëmundjes COVID-19, të shkaktuar nga një koronavirus i ri.
Më 24 mars, Këshilli për Çështje të Brendshme i BE-së e miratoi hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE të Tiranës dhe Shkupit.
Kosova aktualisht është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen të BE-së. /Insajderi.com