9.9 C
Tetovo
E hënë, 13 Tetor, 2025
BallinaLajmeKomiteti i Helsinkit: gjuha e urrejtjes në procesin zgjedhor të RMV-së shqetësuese

Komiteti i Helsinkit: gjuha e urrejtjes në procesin zgjedhor të RMV-së shqetësuese

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka reaguar ndaj intensifikimit të gjuhës së urrejtjes në hapësirën publike dhe në rrjetet sociale në periudhën para zgjedhjeve lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ata thonë se dushatat politike dhe paraqitjet publike duhet të bazohen në ide, argumente dhe respekt për diversitetin, dhe jo në mesazhe që nxisin përçarje, intolerancë ose dhunë.

“Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje e të drejtës demokratike për lirinë e fjalës – ajo përbën kërcënim serioz për të drejtat e njeriut, kohezionin shoqëror dhe procesin demokratik. Tendenca e aktorëve politikë dhe figurave publike për të përdorur ose toleruar këtë lloj retorike për mobilizim politik, e cila nxit drejtpërdrejt tensione midis komuniteteve të ndryshme, është veçanërisht alarmante”, thonë nga Komiteti.

Ata shtojnë se kandidatet gra për kryetare komune dhe këshilltare përballen me sfida serioze sociale, më e spikatura prej të cilave është gjuha e urrejtjes dhe dhuna me bazë gjinore në hapësirën publike dhe në rrjetet sociale.

“Kandidatet gra, shumë më shpesh se burrat, janë cak i komenteve seksiste dhe përçmuese, fyerjeve dhe sulmeve në baza personale, në vend që të bazohen në pikëpamjet ose programet e tyre politike. Kjo krijon një atmosferë frike dhe demotivimi, e cila i dekurajon drejtpërdrejt gratë nga kandidimi për poste dhe pjesëmarrja aktive në jetën politike. Komiteti i Helsinkit u bën thirrje partive politike dhe kandidatëve – të përmbahen nga çdo formë e gjuhës së urrejtjes dhe të promovojnë një fushatë zgjedhore të drejtë dhe dinjitoze, medias – të mos transmetojnë ose normalizojnë deklarata që nxisin urrejtje, por të kontribuojnë me përgjegjësi në një debat publik të informuar dhe konstruktiv, dhe qytetarëve – të raportojnë në mënyrë aktive rastet e gjuhës së urrejtjes dhe të mos marrin pjesë në përhapjen e saj. Zgjedhjet nuk duhet të bëhen një rast për thellimin e përçarjeve në shoqëri“, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Komiteti i Helsinkit monitoron vazhdimisht dhe i përgjigjet gjuhës së urrejtjes, e cila është një nga faktorët kryesorë që çon në krime urrejtjeje.

“Kjo është arsyeja pse ne besojmë se dënimi publik është më e pakta që mund të bëjnë strukturat politike, dhe se institucionet kompetente duhet ta sanksionojnë këtë fenomen. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dënon fuqimisht përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe shoqërorë që ta kundërshtojnë këtë fenomen dhe të mbështesin kulturën e tolerancës, dialogut dhe respektit për diversitetin. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë të monitorojë nga afër procesin zgjedhor dhe hapësirën publike, si dhe të reagojë ndaj të gjitha formave të gjuhës së urrejtjes, thirrjeve për dhunë ose diskriminim“, thuhet më tej në reagim.

Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments