9.6 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKomisioni Evropian e tha hapur: Komunat e RMV-së urgjentisht të reformohen, decentralizimi...

Komisioni Evropian e tha hapur: Komunat e RMV-së urgjentisht të reformohen, decentralizimi mbetet sfidë

Nuk është bërë përparim në reformën e vetëqeverisjes lokale, ndërsa reformat nevojitet urgjentisht. Sfidë në vete mbetet edhe decentralizimi. Kjo mes shumë të tjerash theksohet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Portalb.mk analizoi raportin në fushën e vetëqeverisjeve lokale.

Gjatë periudhës raportuese është bërë progres i kufizuar. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten kryesisht të vlefshme.

“Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti të përshpejtojë procesin e decentralizimit duke vendosur kornizë kredibile financimi për komunat”, thuhet në Raport.

Rishikimi i vonuar i sistemit të decentralizimit, i kombinuar me sfidat ekonomike të përjetuara nga komunat, sipas KE-së kanë ndikuar negativisht në cilësinë e shërbimeve lokale.

“Qeveria e re duhet të rifillojë urgjentisht dhe në mënyrë aktive dialogun ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes për të përmirësuar kuadrin rregullator dhe financiar në përputhje me programin 2021-2026 për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim dhe planin e tij të veprimit për 2024-2026”, thekson Raporti.

Sipas KE-së përpjekjet për të ndërtuar një bazë financiare të qëndrueshme dhe të parashikueshme për vetëqeverisjet lokale duhet të vazhdojnë.

KE-ja thotë se kapaciteti për të menaxhuar proceset e prokurimit publik duhet të rritet më tej.

“Veçanërisht në nivel lokal, në mënyrë që të sigurohet qasje më koherente në menaxhimin e ciklit të prokurimit”, thuhet në raport.

Raporti ja tërheq vërejtjen vendit edhe për menaxhimin me mbeturinat komunale që janë në nivel joadekuat.

“Progresi konkret ende mungon për shkak të ndërgjegjësimit të kufizuar të palëve të interesuara, mbështetjes së pamjaftueshme financiare dhe mangësive në infrastrukturë”, thotë KE-ja.

Llogaridhënia e administratës duhet të përmirësohet, thotë KE-ja duke ju referuar edhe pushtetit lokal por edhe atij qendror, gjithashtu se edhe “delegimi i vendimmarrjes tek menaxhmenti i mesëm është ende i kufizuar si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal të qeverisjes”.

“Nevojitet një qartësi më e madhe për ndarjen e pushteteve, detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet aktorëve të nivelit lokal dhe qendror të përfshirë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit”, thuhet në raport.

Përkundër vërejtjeve KE-ja theksoi edhe disa nga pikat ku vendi ka bërë një farë progresi.

Raporti thekson se është bërë njëfarë progresi në rritjen e nivelit të financimit me një marrëveshje prej 50 milionë euro ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Mjedisit dhe Bankës Evropiane të Investimeve (EIB) për projektet e infrastrukturës komunale të ujit.

Gjithashtu se është bërë përparim i kufizuar në kornizën legjislative, ndërkohë që parimet bazë mbeten gjerësisht në përputhje me acquis-in e BE-së për zhvillimin komunal.

Kujtojmë që vërejtje dhe rekomandime të ngjashme për vetëqeverisjet lokale kishte edhe në Raportin e vitit të kaluar të KE-së.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 30 tetor 2024. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments