Fëmijët shqiptarë në Çashkë edhe sivjet nuk do të gëzojnë të drejtën e tyre për të mësuar në gjuhën amtare. Kjo ndodhë pasi shkolla e re fillore “Dituria” që u paralajmërua nga Qeveria e kaluar, edhe më tej nuk ka filluar të ndërtohet, ndërsa në Todor Janev, përsëri nuk lejohen të mësojnë shqip por vetëm në gjuhën maqedonase. Madje 10 nxënës, 3 të klasës së parë që janë regjistruar sivjet dhe 7 të klasës së dytë, tani për tani nuk ndjekin fare mësim pasi nuk kanë se ku ta ndjekin. Ata janë të detyruar që të mbajnë orë mësimore në hapësirë të improvizuar, gjegjësisht në mektebin e xhamisë në fshatin Banjicë, e që e njëjta do të jetë e gatshme brenda dy javësh.
Shkolla e re fillore “Dituria” e që do të jetë modulare, pritet të ndërtohet në afat prej dy muajve. Në fakt, ajo duheshte që deri tani të jetë gati por është vonuar përshkak zgjedhjeve. Siç njoftoi kryetari i komunës së Çashkës, Goran Stojanovski, kjo shkollë do të ketë tre klasa dhe do të mësojnë fëmijët deri në klasë të pestë, që gjithsej janë 30 nxënës.