Punimet filluan para tre vitesh, por ndërtimi i shkollës së fshatit Sellcë në Tetovë ende është në fazën e parë! Tenderi për fazën e dytë akoma nuk është hapur. Faza e dytë parasheh fasadën, bankat dhe kabinetet. Për t’u lëshuar në përdorim do të duhet të rregullohet edhe terreni i sportit dhe muri rrethues që është një element shumë i rëndësishëm për sigurinë e nxënësve. Kryetari i komunës Bilall Kasami pret që këtë vit të përmbyllen të gjitha punët ndërtimore.“Edhe aty sipas informatave që i kemi nga operatori punët shkojnë në bazë të dinamikës së paraparë, kërkesa jonë është që brenda këtij viti të përmbyllen gjitha punët ndërtimore”, u shpreh Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Drejtori i shkollës Muhamer Asani thotë se shkolla e re do ndihmonte shumë procesin arsimor. Edhe pse ata nuk kanë qasje në tenderimin e shkollës, në bazë të dinamikës që shohin, nuk presin që vitin e ardhshëm ta fillojnë në objektin e ri.“Nuk ka hamendje se sa do ta kishte përmirësuar cilësinë procesit edukativo-arsimor, por ne si drejtori nuk kemi qasje fare tek objekti ri, por në të shumtën e rasteve gravitojmë dhe shihet se punohet por edhe pse na u premtua nga një vizitë e kryetarit të komunës në qershor se për sivjet në 2026 do të mund të futemi në objektin e ri. Në bazë të dinamikës së punës nuk besoj se do ta arrijmë, për shkak se faza e dytë ku përfshihet fasadimi, fushat sportive një mur mbajtës akoma, nuk ka tenderim më duket”, tha Muhamer Asani – drejtor i Shkollës “Rilindja” Sellcë.
Më 8 korrik 2025 Kasami vizitoi shkollën për të parë punimet, ndërsa pati premtuar se faza e dytë do të përfundojë deri në gusht 2026.
“Bisedojmë të mbyllet me Ministri të Arsimit, ashtu siç ka nisur, nëse do të ketë ndonjë hezitim apo pengesë eventuale që nuk besoj por ne jemi të gatshëm si komunë për vitin 2026 të ndajmë mjete nga mjetet që po ashtu sigurohen nga qeveria për komunat që të përmbyllet ky projekt”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Nxënësit e kësaj shkolle mësojnë në një shkollë të ndërtuar në vitet e ’60-ta. Në vitin 1999 këtu u pat nisur një objekt i ri shkollor, por u nxor jashtë funksionit për shkak të rrëshqitjes së dheut.
