Kodi i ri zgjedhor nuk do të miratohet deri në qershor ashtu siç parashikon agjenda e reformave. Vonesa mund të ketë edhe me ligjin për Këshillin Gjyqësor, shkruan Alsat.Kështu njoftoi ministri i çështjeve evropiane, Orhan Murtezani i cili thotë se për pjesën më të madhe të ligjeve pritet të respektohen afatet e parashikuara në agjendë.
“Ajo që tani për tani dihet është se kodi i ri zgjedhor nuk do të mund të futet në afatin e paraparë, pasi të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR janë që para zgjedhjeve të mos bëhen reforma në kodin zgjedhor, që të mos krijohet konfuzion. Dhe nuk jemi të sigurt nëse do të arrijmë që ligji për Këshillin Gjyqësor të futet në korniza të këtyre afateve, megjithatë këto dy hapa sipas natyrës, janë më të komplikuara, kërkojnë konsensus më të gjerë shoqëror dhe politik dhe sipas natyrës kërkojnë më shumë kohë”, tha Orhan Murtezani, Ministër për çështje evropiane.
Këto reforma do të jenë të rëndësishme që vendi të mund të shfrytëzojë fondet nga Plani i Rritjes në katër vitet e ardhshme, por sipas Murtezanit, vonesat e disa reformave të caktuara nuk janë asgjë e frikshme, ndërsa të njëjtat pritet të përfundojnë brenda 12 muajsh.
“Asgjë nuk është e frikshme nëse reforma të caktuara nuk mund të zbatohen në afatin e paraparë, hyn në fuqi grejs period prej 12 muajsh, ku sigurisht do të kemi mundësi t’i përfundojmë të gjitha”, u shpreh Orhan Murtezani, Ministër për çështje evropiane.
Murtezani mori pjesë në mbledhjen e parë të Mekanizmit Konsultativ për Agjendën Reformuese, ku mes tjerash theksoi se vendi ka përmbushur të gjitha 5 hapat reformuese të parapara deri në shkurt të këtij viti, pas çka vendi ka dorëzuar kërkesë te Komisioni Evropian për lirimin e mbi 17 milionë eurosh. / Alsat.mk