11.6 C
Tetovo
E hënë, 21 Prill, 2025
BallinaLajmeBotaKina paralajmëron vendet e tjera të mos bëjnë marrëveshje tregtare me SHBA-në...

Kina paralajmëron vendet e tjera të mos bëjnë marrëveshje tregtare me SHBA-në në dëm të saj

Kina i ka paralajmëruar të hënën vendet e tjera që të mos bëjnë marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara në dëm të Kinës.

Qeveritë, përfshirë ato të Tajvanit, Japonisë dhe Koresë së Jugut, i kanë filluar bisedimet me Uashingtonin pasi presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifa të larta kundër pothuajse të gjithë partnerëve tregtarë të Amerikës më 2 prill.

Taksat mbi importet u pezulluan shpejt për shumicën e vendeve pas një paniku në tregje, por Trump i rriti edhe më shumë larta kundër Kinës.

“Kina kundërshton fuqishëm çdo marrëveshje që bëhet në kurriz të interesave kineze”, tha Ministria e Tregtisë e Kinës në një komunikatë.

“Nëse kjo ndodh, Kina nuk do ta pranojë kurrë dhe do të marrë kundërmasa në mënyrë të vendosur dhe të barabartë. Kina është e vendosur dhe e aftë t’i mbrojë të drejtat dhe interesat e saj”, tha ajo.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha më herët këtë muaj se vendet që janë duke negociuar marrëveshje tregtare me SHBA-në duhet t’i “qasen Kinës si një grup” së bashku me Uashingtonin.

Tarifat amerikane ndaj vendeve të tjera përbëjnë një formë të ngacmimit ekonomik, tha Ministria kineze.

“Për interesa të përkohshme egoiste, të sakrifikosh interesat e të tjerëve në këmbim të të ashtuquajturave përjashtime, është njësoj si t’ia kërkosh lëkurën tigrit. Kjo do të përfundojë duke dështuar nga të dyja anët dhe do t’i dëmtojë të tjerët pa përfituar vetë”, theksoi ajo.

Kina tha se është e hapur për bisedime me Uashingtonin, por deri tani nuk është njoftuar për ndonjë takim.

Trump e bëri Kinën cak kryesor të tarifave të tij, duke vendosur disa runde tarifash me një total prej 145 për qind ndaj importeve kineze. Pekini u kundërpërgjigj me tarifa prej 125% ndaj importeve amerikane.

Tarifat kanë frikësuar eksportuesit dhe kanë vonuar dërgesat, duke rrezikuar të ndikojnë negativisht në ekonominë globale./Radio Evropa e Lire

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments