Këshilltari në Komunën e Butelit, Armend Murseli, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përfaqësimin etnik të të punësuarve në administratën komunale. Në seancën e 6-të të Këshillit Komunal, ai deklaroi se, pavarësisht insistimit të tij për të kërkuar një elaborim të detajuar mbi strukturën etnike të punonjësve, nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete nga udhëheqësit dhe shërbimet komunale.
Sipas Murselit, administrata komunale ka hezituar të ofrojë të dhëna mbi përfaqësimin real të të gjitha etnive, pasi sipas tij, nuk është respektuar parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Duke u bazuar në informacionet që posedon, Murseli bëri të ditur se nga gjithsej 64 të punësuar në Komunën e Butelit, 57 janë të përkatësisë maqedonase dhe vetëm 7 janë shqiptarë, që përbën rreth 10 për qind të stafit.
Ai theksoi se gjatë katër viteve të fundit është realizuar vetëm një punësim me vendim nga etniteti shqiptar. Edhe në pozitat udhëheqëse, sipas tij, pabarazia është e theksuar: 11 pozita drejtuese mbahen nga maqedonas, ndërsa vetëm në një vend udhëheqës shqiptar. Ndërkohë, me kontrata janë të angazhuar 38 persona, prej të cilëve vetëm 5 janë shqiptarë.
“Ngrihet pyetja se si do të garantohet përfaqësimi i drejtë etnik, kur as me mekanizmin e balancuesit nuk është respektuar përqindja e etnive, e aq më pak tani pas heqjes së tij”, u shpreh Murseli.
Ai shtoi se si këshilltar i AKI-së në Komunën e Butelit, do të vazhdojnë të këmbëngulin në respektimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe se do të kërkojnë raport të detajuar për çdo punësim që do të realizohet në të ardhmen në Komunën e Butelit.
