Gjyqtari Elvedin Ferati, nuk mund të shqiptonte dënim më të lartë në rigjykim për shoferin Mensur Pajaziti, i cili përplasi për vdekje 22-vjeçaren Teodora Ristovska nga Tetova në kalim këmbësorësh, për të cilin u dënua me dy vjet burg, sipas raportit të këshillit gjyqësor, pasi një komision tre anëtarësh e shqyrtoi rastin. Në gjykimin e parë në këtë rast, Pajaziti ka marrë dënim me burg prej tre vjet e gjashtë muaj, por me ankimimin e të pandehurit, rasti është kthyer për rigjykim.
“Me vendim të Gjykatës Supreme, aktgjykimi i gjykatës në Tetovë dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit në Gostivar anulohen dhe lënda kthehet për rigjykim. Rasti merr një numër të ri dhe në punë merret nga një gjyqtar tjetër. Në zbatim të nenit 428 të Ligjit të procedurës penale, nëse ankimi paraqitet vetëm në favor të të pandehurit, vendimi nuk duhet të ndryshohet në dëm të tij në drejtim të vlerësimit ligjor të veprës penale dhe sanksionit penal”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.
Edhe Shoqata e Gjyqtarëve në Gjykatën e Tetovës doli në mbrojtje të gjyqtarit Ferati. Me anë të një deklarate me shkrim, njoftojnë se në procedimet e përsëritura i pandehuri është dënuar me dënim maksimal me burgim.
“Duke vlerësuar të gjitha rrethanat, gjyqtari, në procedimet e përsëritura, e ka dënuar të pandehurin me dënimin maksimal me burgim, duke marrë parasysh ndalimin e ndryshimit për më keq (Reformatio in peius), si parim të parashikuar në LPP, në një situatë kur, me kërkesë të të pandehurit, Gjykata e Lartë ka anuluar vendimet dhe e ka kthyer çështjen në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim dhe për shkak të këtij ndalimi, aktgjykimi i ri nuk duhet të ndryshohet në dëm të të pandehurit as në aspektin e kualifikimit ligjor të veprës, as në aspektin e sanksionit penal”, deklaruan nga Nëndega e Shoqatës së Gjyqtarëve Tetovë.
Pikërisht kundër gjyqtarit Ferati, Prokuroria Themelore Publike Shkup mbylli një hetim muajin e kaluar pasi Inspektorati Shtetëror zbuloi se ai i ka korrigjuar notat e tij të Universitetit të Tetovës. Vendimi i Feratit nxiti reagime të shumta në opinion ndërsa kryeministri Mickoski tha publikisht se ishte i zhgënjyer me aktgjykimin dhe i kërkoi Këshillit Gjyqësor ta rishikonte atë menjëherë. Në protestën e sotme të organizatës Kush e ka radhën, kërkohet drejtësi edhe për rastin e Ristovskës. /Alsat.mk