Kjo rrugë e pa asfaltuar ndodhet në Lagjen “Egejska” të qytetit të Kërçovës.
Rruga 100 metërshe në këtë lagje asnjëherë nuk është asfaltuar edhe pse kërkesa nga ana e banorëve ka pasur që nga viti 2010.
Rruga shembet çdo ditë e nga pak dhe nëse nuk intervenohet kjo rrugë do të ngushtohet dhe do të bllokohen 10 familje që jetojnë në këtë lagje, thonë banorët.
Me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe dimrit problemi për banorët e kësaj lagje rëndohen më shumë ngase siç thanë ata nuk mund të ngjiten e as veturat e taksitë nuk shkojnë t’i marrin.
Ata thonë se në rast nevoje në këtë kohë krize as ndihma e shpejtë nuk mund të ngjitet lart, do të duhet në krah ta marrin pacientin dhe ta zbresin deri poshtë.
“Ne probleme kemi nga viti 2010 kur i ndërtuam shtëpitë, kemi bërë kërkesë në vitin 2012 te kryetari Tashko na u premtua kur u shtrua rruga në pjesën e poshtme, na premtuan se do të rregullojnë edhe këtë rrugë me bekatonka nga ajo kërkesë asgjë nuk u bë, më pas më 2014 bëmë edhe një kërkesë gjithashtu na u premtua se rruga do të ndërtohet megjithatë deri më tani asgjë. Tani para disa muajsh te kryetari i ri bëmë edhe një kërkesë edhe nga atje tani për tani nuk ka ndonjë lajmërim se do të bëhet diçka”.
“Ne gati 10-11 vjet jemi këtu tek shtëpia dhe çdo ditë kemi probleme me rrugën, nuk vjen as veturë as taxi nuk vjen deri këtu lart as tani që është thatë nuk ka as borë as akull, e për më tutje të mos flasim, ja vetë mund të shihni, të xhironi nuk dilet, lart veçanërisht është shumë rëndë”.
“Diku 6 apo 7 herë kemi dërguar nënshkrime , kërkesa dhe punë të tjera dhe që moti është kështu përafërsisht që kur kam ardhur këtu mbi 30 vjet kjo rrugë është kështu askush nuk ka ardhur të intervenojë”.
TV21 disa herë radhazi është munduar të komunikojë me shefin e sektori për veprimtari komunale, infrastrukturë, komunikacion dhe energji efikase në Komunën e Kërçovës Sejdin Abazin në lidhje me këtë rrugë por nuk arritëm të merrnim një përgjigje.
Kohë më parë për Tv21 kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari tha se deri në fund të mandatit do t’i ndërtojnë të gjitha rrugët dhe rrugicat në Kërçovë.
“Me këtë dinamikë do të arrijmë të rrumbullakësojmë të gjithë rrugët dhe rrugicat brenda territorit deri në fund të mandatit”, deklaroi Fatmir Dehari – kryetar i Komunës së Kërçovës.