Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas njohjes së Republikës së Kosovës nga shteti i Kenias, duke e cilësuar këtë një lajm të rëndësishëm për vendin.
“Njohja e Republikës së Kosovës nga shteti i Kenias na gëzon të gjithëve dhe është lajm shumë i mirë për Republikën”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka falënderuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, si dhe ish-presidentin Behgjet Pacolli për kontributin e tyre në këtë arritje.
Kurti ka shprehur mirënjohje edhe për presidentin e Kenias, William Samoei Ruto, për vendimin e tij që mundëson afrimin mes dy shteteve dhe ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike.
“Me vullnet e gatishmëri për bashkëpunim e partneritet të ngushtë në këtë kapitull të parë të marrëdhënieve me Kenian, që urojmë të jetë jetëgjatë, i frytshëm dhe produktiv”, ka shtuar ai.