11.9 C
Tetovo
E hënë, 16 Shtator, 2024
BallinaLajmeKE: Vendet e Ballkanit Perëndimor të harmonizojnë politikat e jashtme me atë...

KE: Vendet e Ballkanit Perëndimor të harmonizojnë politikat e jashtme me atë të BE-së

Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se secili nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të agjendave të reformave nga Plani i Rritjes, do të duhet të deklarojnë synimet e tyre për harmonizimin e politikës së tyre të jashtme me politikat e BE-së. “Harmonizimi me politikën e jashtme të përbashkët të BE-së është përfshirë, si synim specifik, në kuadrin e agjendave të reformave. Kjo do të thotë se vendet do të duhet të shpjegojnë në agjendat e reformave se si presin që këto masa dhe masat që planifikojnë të marrin, të kontribuojnë në harmonizimin progresiv dhe të vazhdueshëm kur bëhet fjalë për politikën e jashtme”, tha zëdhënësja e Komisionit, Ana Pisonero.

Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, në përputhje me vendimet e BE-së në përgjigje të agresionit ushtarak kundër Ukrainës. Deri më tani, Brukseli ka prezantuar 14 paketa sanksionesh kundër Rusisë.

Vendet e tjera në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut, kanë respektuar të gjitha vendimet e BE-së në lidhje me Rusinë. Harmonizimi nuk është parakusht për marrjen e parave nga Plani i Rritjes, por ai mbetet në fokusin e KE-së kur vendos për pagesat e parave për vendet e rajonit. Çdo vend nga Ballkani Perëndimor është i detyruar të krijojë një agjendë reformash dhe miratimi i agjendave do të bëhet me vendim të Komisionit Evropian.

“Para se të ndodhë kjo, ne padyshim që do të konsultohemi me shtetet anëtare. Pra, kjo ende nuk ka ndodhur. Vlerësimi është në vazhdim. Ju e dini se marrja e mbështetjes financiare do të varet nga zbatimi i suksesshëm i reformave, të cilat do të duhet të bien dakord me Komisionin Evropian”, tha Pisonero.

Reformat kanë të bëjnë me fushën socio-ekonomike dhe vlerat bazë, duke përfshirë politikën e jashtme. Gjatë kësaj vjeshte priten edhe transfertat e para të parave në kuadër të Planit të Rritjes.

Kjo paraqet paketën më ambicioze të Bashkimit Evropian për rajonin, e cila synon të dyfishojë ekonominë në vendet e Ballkanit Perëndimor në dhjetë vitet e ardhshme. Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor mbulon periudhën 2024-2027. Është planifikuar të ofrohen gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit. Nga kjo shumë, dy miliardë euro janë në formë granti, gjegjësisht fonde të pakthyeshme, ndërsa katër miliardë të mbetur janë kredi me këste të favorshme.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments