Komisioni Europian i ka paraqitur Parlamentit Europian raport progresin për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Eurokomisioneri Jonahes Hahn, ka rekomanduar çeljen e negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Hahn është shprehur se duhet të mbahen premtimet për shtetet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE, kur ato i përmbushin kërkesat.
“Të kihen parasysh bizneset e Kinës që po rriten në Ballkan, që edhe në se ofrojnë lehtësi është me rëndësi që të sigurojmë se çdo aktivitet i huaj në rajon, të përmbushë standardet e BE-së.
Sa i përket vendeve të caktuara, vendet i janë përgjigjur strategjisë për Ballkanin. Jam i kënaqur se si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë reaguar. Jam i kënaqur të shikoj sesi Shqipëria ka ndjekur reformën në drejtësi, sidomos në sistemin gjyqësor, rivlerësim të paprecedentë të prokurorëve dhe gjykatësve, gjithashtu jam i kënaqur edhe për mënyrën se si Maqedonia e Veriut zgjidhi çështjen e emrit. Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat tani me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.
Sa i takon Serbisë dhe Malit të Zi, Hahn u shpreh se këto dy vende duhet të shtojnë përpjekjet e tyre në mënyrë që të çelen negociatat për anëtarësim në BE.
“Serbia dhe Mali i Zi, duhet të rrisin përpjekjet në punën e tyre. Kjo është më e rëndësishmja dhe kushti për të ecur përpara në rrugën e integrimit. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, këto dy vende duhet të vazhdojnë. Kosova duhet të heqë tarifat për Serbinë dhe Bosnjën. Tarifat për Serbinë dhe Bosnjën, duhet të hiqen. Kosova duhet të bazohet në marrëveshjen e MSA-së”, tha Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.