7.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKE: Me e-shëndetësi fletëudhëzimet jepen në letër, largohen mjekët dhe infermieret, shërbimet...

KE: Me e-shëndetësi fletëudhëzimet jepen në letër, largohen mjekët dhe infermieret, shërbimet shëndetësore janë të shtrenjta në RMV

Edhe pse ekziston një sistem shëndetësor elektronik, fletëudhëzimet për pacientët ende jepen në letër, nuk ka mjaftueshëm specialistë, mjekët dhe punonjësit shëndetësor largohen nga shëndetësia publike në atë private apo edhe jashtë vendit, shpenzimet për mbrojtje shëndetësore të paguara nga xhepi janë të larta. Janë këto vetëm disa nga vërejtjet e shënuara në Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e vendit, të cilat i referohen shëndetësisë. Gjetje negative ka edhe në pjesën që i referohet vaksinimit, skriningut të popullatës, pirjes së duhanit, etj, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

“Edhe pse mbrojtja shëndetësore primare në Republikën e Maqedonisë së Veriut është pa pagesë, financimi i saj është dukshëm nën mesataren e BE-së. Gama e shërbimeve shëndetësore dhe disponueshmëria e tyre, e sidomos e shërbimeve mjekësore të specializuara dhe shpërndarja e tyre gjeografike, është joadekuate. Nuk ka mjaftueshëm specialistë, ndërsa numri i infermiereve për 100.000 banorë është nën mesataren e BE-së. Personeli mjekësor vazhdon të largohet nga sektori shëndetësor publik drejt atij privat ose edhe jashtë vendit. shpenzimet për mbrojtje shëndetësore të paguara nga xhepi janë të larta, gjë që është një pengesë për qasje të barabartë në mbrojtje shëndetësore. Pavarësisht ekzistencës së aplikacionit për e-shëndetësi, fletëudhëzimet jepen në letër”, thuhet në raport.

Shkallë e ulët e vaksinimit

Edhe pse niveli i përgjithshëm i vaksinimit është rritur, shkalla e vaksinimit për disa sëmundje vazhdon të jetë e ulët, thuhet në raport.

“Ndërgjegjësimi dhe numri i transplanteve të gjakut, indeve, qelizave dhe organeve është rritur, edhe pse korniza ligjore ende nuk është harmonizuar plotësisht me atë të BE-së dhe ende nuk është krijuar një modul IT për transplantimin e indeve. Vendi e ka filluar fushatën e parë të skriningut të kancerit të gjirit. Numri i skriningjeve të kancerit të qafës së mitrës në vitin 2023 u dyfishua në kuadër të programit relevant të skriningut, si dhe u realizua edhe një skrining kolorektal, por megjithatë nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe më proaktive për skrining të popullatës”, thuhet në raportin e KE-së.

Fonde të pamjaftueshme për sëmundjet e rralla 

Sa i përket fondeve që ndahen për sëmundjet e rralla në raport theksohet se ato janë rritur, por ende janë të pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet e trajtimit mjekësor të të gjithë pacientëve të regjistruar.

“Ndjekja e parandalimit të keqpërdorimit të drogave dhe zvogëlimi i dëmeve si pasojë e përdorimit të alkoolin tregon për një nivel të moderuar të kqepërdorimit. Nuk ka pasur zhvillim të një mjedisi të shëndetshëm jetësor. Pirja e duhanit ende tolerohet dhe nuk sakncionohet në restorante dhe zona të tjera të mbyllura, duke përfshirë këtu edhe zyrat publike dhe disa institucione mjekësore. Vendi nuk e ka ratifikuar ende Protokollin për Eliminimin e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit”, thuhet në raport.

Problemi më i madh është partizimi i shëndetësisë 

Në sektorin e shëndetësisë problemi më i madh është partizimi, e nga kjo burojnë edhe të gjitha konstatimet negative në raportin për progresin e vendit, thotë Prof. Dr. Nikolla Panovski. Sipas tij ne jemi shumë larg një raporti pozitiv të KE-së, sepse njerëzit janë të pakënaqur me gjendjen në shëndetësi.

“Partitë dhe politizimi duhet të largohen nga ky sektor. Pa këtë nuk mund të ketë përparim. Ne mund të kemi pajisje më moderne, por nëse ua shuajmë entuziazmin njerëzve (mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë), vështirë se do mund të pëmirësohet gjendja. Në poste janë vendosur njerëz që nuk janë as specialistë në klinikën që e drejtojnë, për këtë ka disa shembuj. Sa i përket specializimeve, nuk mund të gjej të dhëna për atë se ku ka mungesë të specialistëve. Kjo duhet të thuhet publikisht. Ne kemi më shumë specialistë të kirurgjisë plastike, ndërsa kemi më pak nevojë për to. Por, kjo sjell fitime. Edhe pse kemi mungesë, ende ka mjekë që janë të papunë dhe po heqin të zinjtë e ullirit për të gjetur një vend pune, sepse Ministria e Financave nuk u jep pëlqim. Po të mos ekzistonte partizimi, do zgjidheshin shumë gjëra” beson Panovski.

Sa i përket shëndetësisë elektronike dhe faktit që fletëudhëzimet ende jepen në letër, ai është i mendimit se kjo është kështu që t’i gjendet punë administratës së madhe në shëndetësi, e cila po e ngulfat atë.

“Me e-shëndetinë ajo administratë duhet të reduktohet në 20 përqind të asaj që është për momentin, e kjo gjë nuk u konvenon politikanëve”, vlerëson ai.

Nuk ka platformë online me informacion për mbrojtjen e konsumatorëve

Në raportin për progresin e vendit kritika ka edhe për pjesën që ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorit, për çka theksohet se legjislacioni kombëtar nuk është i harmonizuar me atë të BE-së.

“Strategjia e ardhshme trevjeçare për mbrojtjen e konsumatorit (2025-2028) ende nuk është miratuar dhe nuk ka asnjë platformë online që ofron informacion për mbrojtjen e konsumatorëve. Legjislacioni kombëtar ka një nivel të lartë përputhshmërie me ligjin e BE-së për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe është pjesërisht në përputhje me kërkesat ligjore për sistemin për paralajmërim të shpejtë të BE-së për produktet e rrezikshme jo ushqimore. Në vitin 2023, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer 809 kontrolle mbikëqyrëse të tregut, të cilat kanë rezultuar me tërheqjen e 37 produkteve nga tregu. Numri i inspektorëve (170) është ende i pamjaftueshëm dhe shumë prej tyre janë afër pensionimit”, thuhet në raport.

Edhe raporti i vitit të kaluar në fushën e shëndetësisë nuk ishte i favorshëm. Në të u tha se ka sfida të shumta që mbeten për t’u zgjidhur në fushën e shëndetësisë publike.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 30 tetor 2024. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments