Maqedonia e Veriut gjendet midis nivelit të caktuar dhe të mesatar të gatishmërisë për sa i përket lirisë së shprehjes. Shikuar në përgjithësi, ka pasur përparim të kufizuar. Konteksti i përgjithshëm është i favorshëm për lirinë e medias dhe lejon raportimin kritik nga mediat. Ndryshimet në Kodin penal dhe Ligjin për përgjegjësi qytetare në lidhje me shpifjen kanë rritur shkallën e mbrojtjes juridike të gazetarëve. Megjithatë, janë regjistruar një numër sulmesh, kërcënimesh dhe disa frikësime të gazetarëve, vlerëson Komisioni Evropian në raportin e fundit për vendin në pjesën për lirinë e medias.
KE vëren se nevojitet transparencë më e madhe në lidhje me reklamimin në media nga institucionet shtetërore dhe partitë politike dhe nevojitet reforma e shërbimit të transmetimit publik në mënyrë që të forcohet pavarësia e tij, standardet profesionale dhe qëndrueshmëria financiare. Gjithashtu theksohet se Kuvendi ka shtyrë emërimin e anëtarëve të Këshillit programor të Servisit të transmetimit radiodifuziv dhe Këshillit të Rregullatorit Mediatik që nga dhjetori i vitit 2018. Raporti gjithashtu vlerëson se kushtet e punës për gazetarët vazhdojnë të paraqesin sfidë.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë ende të vlefshme. Gjatë vitit të ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet të rishikojë kornizën legjislative në lidhje me mediat dhe ta harmonizojë atë me legjislacionin evropian dhe standardet evropiane, veçanërisht në lidhje me rregullat për konkurrencën dhe ndihmën shtetërore, të drejtat e pronësisë intelektuale, që është pjesë e tregut të përbashkët të BE-së, të forcojë zbatimin e strategjisë për reformën e transmetuesit publik radiodifuziv dhe të finalizojë emërimet në Këshillin programor të Servisit të transmetimit publik radiodifuziv dhe Këshillin e Rregullatorit Mediatik, si dhe të vazhdojë të adresojë urgjentisht të gjitha kërcënimet dhe aktet e dhunës ndaj gazetarëve dhe të lejojë që të gjithë autorët të nxirren para drejtësisë.
“Rrethimi i përgjithshëm lejon lirinë e shprehjes dhe raportimin kritik. Korniza ligjore është forcuar: ndryshimet në Kodin penal dhe Ligjin për përgjegjësinë qytetare në lidhje me shpifjen, të miratuar në nëntor të vitit 2022, rritën shkallën e mbrojtjes ligjore të gazetarëve. Megjithatë, mbeten sfida sistematike: polarizimi i thellë mediatik, dhuna fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, kushtet e punës së punonjësve mediatik, veçanërisht të drejtat e tyre të punës dhe ato sociale. Duhet të zbatohen ligjet që kanë të bëjnë me funksionimin e mediave. Teknologjitë digjitale dhe çrregullimet e tregut mediаtik tregojnë nevojën për një strategji të përgjithshme për reformën e medias në bashkëpunim me të gjithë faktorët”, konkludon KE-ja.