Lista “Më Mirë Për Tetovën” e mbështet nismën që kazerma e qytetit të kthehet në park, vetëm nëse nuk keqpërdoret për biznes dhe ndërtime. MMPT pyet kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami përse Qendra Sportive është lënë pas dore, në vend që shndërrohet në hapësirë të dobishme për qytetarët.
Lista ka drejtuar edhe një sërë pyetjesh për premtime para zgjedhore për Qendrën Sportive dhe nëse është tërhequr nga ideja e ndërtesave në Kazermë apo jo.
“E pyesim Kryetarin e Komunës përse qëllimisht lihet pas dore dhe nuk pastrohet nga ferrat Qendra Sportive që mund të shëndrrohet në hapësirë të dobishme publike për qytetarët? Në vend të kësaj ai jep propozime që edhe vet nuk e di kur mund ta kenë përfundimin. Pse u manipilua opinioni me mjetet e punës që para zgjedhjeve qëndronin në Qendrën Sportive për të krijuar përshtypjen se kinse po punohet diçka, dhe pastaj kjo u la pas dore pa ndonjë zgjidhje? E rikujtojmë Kryetarin e Komunës që idenë për shëndërrimin e Kazermës në park e ka parashtruar sektori civil qysh në vitin 2016. Në vitin 2017 kjo ishte kërkesë e parashtruar në formë të memorandumit ndaj gjithë kandidatëtëve të atëhershëm për kryetar komune. Çuditërisht kryetari i tanishëm nuk e nënshkroi këtë memorandum, duke ofruar një plan tjetër që parashihte ndërtimin e ndërtesave tek kazerma. Ai fillimisht duhet të tregojë nëse është tërhequr nga ideja e ndërtesave në Kazermë, apo jo? Në anën tjetër reagimin e Nismës “Tetova do park” se kazerma duhet të mbetet aty ku është për shkaqe sigurie, e vlerësojmë si jo të menduar mirë. Sipas standardeve të NATO-s, pjesë e së cilës është edhe Maqedonia e Veriut, kazermat nuk duhet të jenë brenda qyteteve.”