Pavarësisht se javën e kaluar u tha disa herë se do të fillonte asfaltimi i pjesës së mbetur të rrugës Boris Kidriç, e njëjta nuk u bë. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e pranoi dështimin dhe paralajmëroi masa kundër kompanisë që realizon punimet, raporton Portalb.mk.
Duke kërkuar falje, Kasami tha se është dështim si rezultat i dështimit të kompanisë.
“Kam dhënë urdhër të marrin masa adekuate konform kontratës për shkak të mosrealizimit të punimeve ashtu siç jemi dakorduar. Fatkeqësisht premtimi i fundit ishte se punimet do të realizohen për fundjavë, nuk u realizuan, nga dje u kam dhënë urdhër shërbimeve të komunës që të marrin masa adekuate juridike për tu mbrojtur interesi publik dhe për të marrë masa konform ligjit”, tha Kasami. Paraprakisht qytetarët dhe mërgimtarët u ankuan se kjo bllokimi i kësaj rruge shton kaosin në trafik në pikun e sezonit veror. Punimet për rikonstruimin e rrugës prej rreth 350 metrave “Boris Kidriç” e cila fillon nga rruga “Jane Sandaski” dhe do të përfundojë te rruga “Bllagoja Toska” filluan në fund të tetorit 2024.
Në nëntor të vitit 2024 nga Komuna e Tetovës patën thënë se ndërsa afati i realizimit do të jetë katër muaj që nga futja në punë e kompanisë që do t’i realizoj punimet, që i bie se deri në fund të muajit shkurt 2025, rruga do duhej të kishte përfunduar. Por që nuk u bë.
Rikonstruimi i rrugës për momentin nuk është planifikuar të bëhet në pjesën e cila kalon nga Qendra Sportive, ku rruga është e dëmtuar dhe me gropa.
Komuna e Tetovës për Portalb.mk paralajmëroi se do të nisë edhe punimi i projektit për këtë pjesë.
Për ndërtimin e rrugës “Boris Kidriç” është përzgjedhur kompania Çabi Trans. Мë 6 shkurt 2024 Komuna e Tetovës e ka nënshkruar marrëveshjen me vlerë 7.146.737,26 denarë, kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj.
Ndërsa më 7 gusht 2024 u nënshkrua edhe një marrëveshje tjetër për të njëjtën rrugë në vlerë prej 4.874.580 denarësh me kohëzgjatje prej 12 muajsh.
Kujtojmë që rikonstruimi i rrugës Boris Kidriç ishte premtuar se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge moti kohë kanë kërkuar që të rikonstruohet rruga.