Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka shprehur mbështetje të fuqishme për Izraelin dhe fushatën e tij ushtarake kundër Iranit, teksa ka folur për mediat gjermane në margjina të samitit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që këtë vit po mbahet në Kanada.
“Kjo është puna e ndyrë që Izraeli po e bën për të gjithë ne”, ka thënë Merz në një intervistë për transmetuesin ZDF.
“Edhe ne jemi viktima të këtij regjimi. Ky regjim i mullahëve i ka sjellë botës vdekje dhe shkatërrim”, ka thënë ai.
Merz ka sugjeruar, gjithashtu, se sulmet izraelite në Iran mund të çojnë në rrëzimin e udhëheqësisë së Republikës Islamike.
“Besoj se sulmet e ditëve të fundit e kanë dobësuar regjimin e mullahëve dhe nuk e shoh që do të mund t’i kthehen forcës së dikurshme, duke e bërë të ardhmen e shtetit më të paqartë”, ka thënë Merz.
“Për të qenë i sinqertë, e kam vështirë të imagjinoj se regjimi i mullahëve do t’iu kthehet funksioneve të vjetra. Figura të mëdha të udhëheqësisë ushtarake dhe Gardës Revolucionare Islamike nuk janë më gjallë dhe gjërat nuk do të jenë siç ishin”.
I pyetur nëse beson që Shtetet e Bashkuara do të përfshihen në fushatën ushtarake kundër Iranit, Merz ka thënë se beson që “nuk ka vendim ende nga Qeveria amerikane”.
“Tani varet se sa do të jetë gati regjimi i mullahëve për t’u kthyer në tavolinën e negociatave. Nëse jo, atëherë mund të ketë zhvillime të këtij lloji”, ka thënë ai.
Izraeli ka nisur të premten fushatë ajrore duke goditur qendra ushtarake dhe bërthamore brenda Iranit, duke thënë se synon t’ia pamundësojë armikut të tij posedimin e armëve bërthamore.
Mirëpo, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka sugjeruar se fushata ushtarake mund të ketë edhe qëllime tjera.
Ai ka thënë një ditë më parë se Izraeli “është duke ndryshuar fytyrën e Lindjes së Mesme” me këtë fushatë, e cila mund të rezultojë me “ndryshime radikale” brenda shtetit.
Irani udhëhiqet prej liderëve klerikë prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, dhe është akuzuar nga Perëndimi për abuzime me të drejta të njeriut dhe shtypje brutale të disidentëve.
Liderët e grupit G7 kanë bërë thirrje të hënën për shtensionim në Lindje të Mesme, duke theksuar se Izraeli “ka të drejtë të mbrojë veten” dhe që civilët duhet mbrojtur në të dyja anët./REL