Komisioni Republikan Zgjedhor konfirmoi fitoren e Partisë Progresive Serbe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 46,84 për qind të votave (1,667,801), ndërsa koalicioni opozitar pro-evropian “Serbia kundër dhunës” fitoi 23,38 për qind.
Nga 6,500,666 votues të regjistruar, 58,84 për qind kanë votuar dhe rreth 2,7 për qind kanë fletëvotim të pavlefshme.
Pragun zgjedhor prej tre për qind e kaluan edhe Partia Socialiste e Serbisë (6,59%), koalicioni nacional-konservator “Shpresa për Serbinë” (5,02), dhe surpriza e zgjedhjeve të këtij viti – grupi politik i sapoformuar “Ne – zëri i popullit” – Branimir Nestoroviq” me 4,68 për qind të votave. Të gjitha listat e tjera nuk e kaluan pragun zgjedhor, pa llogaritur partitë e pakicës. Kështu, ndër të tjera, Partia Popullore e Vuk Jeremiqit, koalicioni i udhëhequr nga Partia Socialdemokrate e Boris Tadiqit dhe Radikalët (SRS) të Vojisllav Sheshelj do të jenë jashtë parlamentit.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Kremlini po i ndjek nga afër zgjedhjet në Serbi, mirëpret suksesin e partisë së presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe shpreson se ai do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
“Është ekskluzivisht çështje e brendshme e Serbisë, Serbisë tonë mike, vëllazërore. Natyrisht, ne e mirëpresim këtë sukses të zotit Vuçiq dhe shpresojmë se do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të vendit”, u tha Peskov gazetarëve, transmeton RIA Novosti.