6.2 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeJanë konstatuar parregullsi në universitetet në Tetovë, Ohër dhe Strugë

Janë konstatuar parregullsi në universitetet në Tetovë, Ohër dhe Strugë

Në procesin për kontroll të punës së universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë janë konstatuar disa probleme dhe mangësi të caktuara. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska thotë se procesi akoma nuk është kompletuar por gradualisht po konstatojnë “parregullsi të njëpasnjëshme”. Në intervistën e së dielës për Radio Evropën e Lirë, ajo theksoi se ka zgjedhje ilegale të dy mësimdhënësve në Universitetin e Tetovës dhe se atje mbikëqyrja inspektuese akoma po zgjatë.

“Kemi probleme në universitetin ‘Shën Pali” dhe atje janë konfirmuar parregullsi. Kemi problem serioz në Universitetin në Strugë, atje e mbyllëm drejtimin për shkenca mjekësore. Ato sërish janë procese të cilat zgjasin dhe të cilat ende janë në fazë të analizës sepse edhe Ligji për inspektim arsimor jep udhëzime të caktuara se si duhet punuar. Për disa lëshime thuhet se duhet të mënjanohen në afat të caktuar, më pas Inspektorati shtetëror i arsimit shkon të kontrollojë nëse janë mënjanuar apo jo. Sërish e bën kontrollin, nëse janë mënjanuar, pason raport i ri. Nëse nuk janë mënjanuar pasojnë penallti dhe për momentin për dy rastet kemi të ashtuquajturin barazim kur universiteti duhet të paguajë dënim. Barazimin e bën MASH-i që dënimi të jetë më i vogël. Do të thotë, për momentin ndodhin dy procese të tilla. Mbyllëm dy institucione shkencore dhe mendoj se në kohë të shpejtë, do të mbyllim edhe dy”, tha Janevska.

Në pyetjen nëse do të mbyllen universitetet, ministrja u përgjigj se kjo për momentin nuk mund të konfirmohet, por mbikëqyrja inspektuese, siç tha, “do të tregojë se çfarë duhet bërë atëherë kur të përfundojë”.

Lidhur me diskriminimin në arsim dhe atë që në ndryshimet e propozuara të Ligjit për arsim fillor theksohet se “në arsimin fillor ndalohet çdo lloj diskriminimi i drejtpërdrejtë apo jo i drejtpërdrejtë në bazë të gjinisë, racës, nacionalitetit…”, por fshihet “identiteti gjinor” dhe “orientimi seksual”, siç qëndron në ligjin aktual, Janevska u përgjigj se me theksimin e “të tjerave” në tekst janë përfshirë të gjitha llojet e diskriminimit.

“Absolutisht jemi kundër çfarëdo lloj diskriminimi në arsim, tha ministrja Vesna Janevska në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë, duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me ndryshimin e dispozitës për antidiskriminim në ndryshimet dhe plotësimet е Ligjit për Arsimin Fillor. Nuk e di pse duhet të rëndojmë ligjin dhe të numërojmë të gjitha llojet e diskriminimit që ekzistojnë. Fjala “dhe të tjera” në fund të fjalisë përfshin të gjitha llojet e mundshme, ekzistuese të diskriminimit,” theksoi Janevska në intervistën për Radio Evropën e Lirë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments