Të dhënat e fundit tregojnë se Maqedonia deri në fund të muajit mars të këtij viti ka një borxh publik prej 5 miliardë e 242 milionë euro. Njëherësh, në buxhetin e këtij viti, parashikohet që shteti vetëm për vitin 2019 të hyjë në borxh edhe për 556 milionë euro, si dhe të kthejë borxhe në vlerë prej 268 milionë euro, me çka borxhi publik më tej do të rritet për 288 milionë euro. Sivjet, vetëm për kamata do të duhet të paguajmë 149 milionë euro apo afër 18 për qind më shumë në vitin paraprak, shkruan gazeta KOHA.
Nga Ministria e Financave thonë se borxhi publik është zvogëluar në aspektin statistikor për 2.3 për qind, apo në tremujorin e parë të këtij viti shënon ulje prej 48.5 në 46.2 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga ky dikaster shpjegojnë se kjo vjen si rezultat i rritjes së PBB-së, për shkak se në fakt – në shifra absolute, borxhi është rritur nga 5 miliardë e 202 milionë euro në 5 miliardë e 242 milionë euro.
“Qeveria udhëheq një politikë të përgjegjshme të borxhit publik. Nëse paraprakisht kishim një rritje të madhe të borxhit publik që u rrit në nga viti 2008 në vitin 2016, nga 23 për qind e PBB në 48.8 për qind, tani ky borxh, sipas të dhënave të fundit, është 46.2 për qind. Stabilizimi i borxhit i detyrohet politikave prudente apo të arsyeshme, si dhe të suksesshme të menaxhimit me borxhin publik”, thonë nga Ministria e Financave.
Në ndërkohë sipas strategjisë fiskale, parashihet që Qeveria të vazhdojë me huazimet, por që do të jenë me një kontroll më të madh me qëllim që borxhi publik të mbahet në korniza të qëndrueshme. “Në një periudhë afatmesme pritet rritje e butë e borxhit deri më 54.5 për qind të PBB-së në vitin 2020 dhe pastaj ulje në 53.2 për qind të PBB-së në vitin 2021, që është nën limitin e përcaktuar afatmesëm dhe afatgjatë të borxhit publik prej 60 për qind si pjesë e PBB-së”, thuhet në strategjinë fiskale afatmesme. Nga ana tjetër, para disa muajsh, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim paralajmëroi për një rritje të mëtejshme të borxhit publik, si rezultat i politikave ekonomike të shtetit.
“Niveli i borxhit publik është ende relativisht modest në 47 për qind të PBB-së, dhe brenda kritereve të Mastrihtit prej 60 për qind të PBB-së, por ai është rritur vazhdimisht në vitet e fundit, me 20 për qind që nga viti 2009. Një rritje tjetër pritet për shkak të masave të miratuara nga qeveria, për subvencionimin e bizneseve dhe rritjen e pagës minimale”, thonë nga BERZH-i.
Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se puna kyçe kur bëhet fjalë për borxhin publik është se sa ai është i qëndrueshëm dhe sa shteti është në gjendje që me kohë ti paguajë obligimet e tij. Apo, nëse shfrytëzohet në mënyrë produktive për mbështetjen e rritjes ekonomike e që sjell mirëqenie për qytetarët përmes ndërtimit të spitaleve, hidrocentraleve, shkollave, fabrikave, infrastrukturës…
Ndryshe, në fund të vitit 2018, Kroacia me 75 për qind dhe Mali i Zi me afër 70 për qind të borxhit publik si pjesë e PBB-së, kanë borxhin më të lartë në rajon. Shqipëria, sipas të dhënave të fundit, deri në muajin mars ka arritur të reduktojë në 63.63 për qind nivelin e lartë të borxhit publik. Serbia ka borxh prej 50.9 për qind në fund të muajit mars. Borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës në fund të vitit të kaluar kishte arritur në rreth 1.1 miliard euro ose afër 17 për qind e PBB, ndërsa vlera më e ulët e borxhit llogaritet edhe në Bosnje me një borxh prej 33 për qind.
BORXHIN MË I LARTË NË EVROPË
Greqia:182.2 për qind
Italia: 133 për qind
Portugalia: 125 për qind
Qiproja: 110.9 për qind
Belgjika: 105.4 për qind
França: 99.5 për qind
Mesatarja e BE-së: 80.8 për qind
BORXHI MË I ULËT PUBLIK
Estonia: 8 për qind
Luksemburgu: 20.8 për qind
Bullgaria: 23.1 për qind
Çekia: 33.9 për qind
Rumania: 33.9 për qind