Të thuash se katër parti do të shkrihen në një subjekt të vetëm për 7–10 ditë tingëllon mirë në konferencë për shtyp. Por në praktikë, kjo është më shumë retorikë sesa realitet organizativ.
VLEN përbëhet nga Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Secila prej tyre ka statut, kryesi, degë lokale, financa, detyrime ligjore dhe – mbi të gjitha – ambicie politike.
Shkrirja nuk është fjali politike. Është proces juridik dhe organizativ. Duhet:
- vendim formal i kuvendeve partiake,
- hartim statuti të ri,
- program i përbashkët,
- ndarje e pushtetit të brendshëm,
- regjistrim ligjor i subjektit të ri,
- zgjidhje e çështjes së pasurisë dhe financimit.
Vetëm procedura ligjore mund të zgjasë javë. Negociatat për kryetar dhe strukturë drejtuese – edhe më shumë.
Kur thuhet “jemi në finale”, por nuk ka model organizativ, nuk ka emër kryetari dhe nuk ka statut publik, kjo tregon se procesi është politikisht i shpallur, por jo realisht i mbyllur.
Çështja më delikate është pushteti i brendshëm. Kush do ta drejtojë partinë e re? Me çfarë formule? Rotacion? Kryesi kolektive? Apo një lider i vetëm? Në mungesë të përgjigjeve, “finalja” duket si fazë presioni publik për të imponuar një narrativë uniteti.
Sidomos kur brenda Aleanca për Shqiptarët ekzistojnë ndarje të hapura, ideja e një shkrirjeje të shpejtë bëhet edhe më e komplikuar.
Realiteti është i thjeshtë:
7 ditë mjaftojnë për marrëveshje politike.
7 ditë nuk mjaftojnë për ndërtim partie.
Nëse procesi mbyllet kaq shpejt, ka shumë gjasa që të kemi një bashkim formal në letër, por fraksione reale në terren. Dhe historia politike në vend ka treguar se bashkimet e shpejta shpesh prodhojnë përçarje të vonshme.
VLEN mund të bëhet një parti. Por jo me kronometër.
