Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, ka akuzuar sërish BDI-në se ka fshirë qëllimisht mijëra shqiptarë nga regjistrimi i popullsisë së vitit 2021, në atë që ai e quan “tradhti kombëtare”.Në një status të publikuar në Facebook, Mexhiti shkruan: “E kuptoj nervozën e BDI-së kur hapet tema e regjistrimit të popullsisë. Ata më së miri e dinë se deri sa kryhej operacioni i fshirjes së shqiptarëve, ata merreshin me operacione të pasurimit dhe nuk u interesonte asgjë tjetër”.
Ai thekson se BDI-ja sot po përpiqet të mbulojë të vërtetën me “patriotizëm të rrejshëm në Facebook”, ndërkohë që shpalos disa të dhëna alarmante nga zona e Strugës:
Në fshatin Ladorisht: janë regjistruar 1.344 banorë mbi 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2024 kanë votuar 2.397 persona – një diferencë prej mbi 1.000 vetësh.
Në fshatin Veleshtë: regjistrimi tregon 2.196 banorë, por kanë votuar 2.377 qytetarë – afro 200 më shumë.
Në fshatin Livadhi: edhe aty numri i votuesve në zgjedhje ka tejkaluar numrin e të regjistruarve në vitin 2021.
“BDI me politikat destruktive, përveç që shpërnguli qindra mijëra njerëz jashtë shtetit, edhe ata që mbetën në zonat shqiptare, i ka fshirë nga evidenca”, thekson Mexhiti.
Sipas tij, vetëm nga tre fshatrat e Strugës janë “harruar” mbi 5.000 shqiptarë, ndërsa numri i përgjithshëm në nivel republikan do të jetë edhe më tronditës.
“Koha për përgjegjësi për tradhtitë kombëtare ka ardhur dhe përgjegjësi do të ketë!”, përfundon ai, duke paralajmëruar veprime konkrete ndaj atyre që e kanë lejuar apo zbatuar këtë proces, që sipas tij, është një manipulim i rëndë dhe i qëllimshëm.