Zv. kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti në fjalimin e tij gjatë 100 ditëshit të parë ka numëruar tre të arriturat më të mëdha të koalicionit VLEN si pjesë e qeverisë si Mbyllja e kazinove, investimi 35 milionë euro për kampusin e UNT-së dhe “one-stop shop” në kalimet kufitare në Bllacë, Qafë Thanë dhe Tabanoc.
“Tre projekte të rëndësishme gërshetimi i të cilave shtron rrugën për një Maqedoni të veriut më të mirë: heqja e kazinove krijon ambient të shëndetshëm dhe më të sigurtë; mundësite për arsim japin shanse për t’u formuar profesionalisht dhe për të konkurruar për vende pune; dhe “one -stop-shop” lehtëson ardhjen në shtëpi. Këto janë përcaktimet tona bazë”, ka deklaruar Mexhiti.
Postimi i plotë:
Në këto 100 ditë të para të qeverisjes sonë, kemi dëshmuar me vendime konkrete dhe veprime të guximshme, se përkushtimi ynë është për të përmirësuar jetën e secilit prej jush. Ashtu siç e kemi premtuar, çdo hap që kemi ndërmarrë është udhëhequr nga parimi i transparencës, drejtësisë dhe përkushtimit për zhvillim të fuqishëm. Koalicioni ynë ka sjellë një erë të re qeverisjeje dhe një qasje që vë qytetarin në qendër, duke bërë ndryshime të prekshme dhe të rëndësishme.
Le të ndalemi te disa nga arritjet më të mëdha që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit tonë, në këto 100 ditë:
Rritja e pensioneve për pensionistët:
Rritja e pensioneve për pensionistët, një kategori që meriton respekt dhe përkujdesje të veçantë për të gjithë kontributin e tyre ndër vite. Nga 1 Shtatori, kemi nisur fazën e parë të rritjes së pensioneve me 2,500 denarë, duke bërë që pensionistët të ndjejnë lehtësim ekonomik dhe mbështetje të vërtetë nga kjo qeveri. Por ky është vetëm fillimi. Nga 1 Janari i vitit të ardhshëm, do të hyjë në fuqi faza e dytë, e cila do të sjellë një rritje shtesë prej 2,500 denarësh, duke e çuar totalin në 5,000 denarë.
Kjo rritje nuk është thjesht një shifër, por një akt nderimi për ata që kanë ndërtuar këtë vend me djersën dhe sakrificat e tyre. Pensionistët tanë meritojnë të jetojnë me dinjitet, dhe ne jemi të vendosur që ta bëjmë këtë realitet. Me këtë vendim, ne tregojmë se kujdesemi për ta, se nuk i harrojmë dhe se jemi gjithmonë në krahun e tyre, duke siguruar që pleqëria e tyre të jetë më e qetë dhe më e sigurt.
Mbyllja e 50% të kazinove në vend:
Një nga vendimet më të rëndësishme të këtyre 100 ditëve ka qenë mbyllja e rreth 50% të kazinove dhe kompanive të bixhozit në vend. Duke u bazuar në interpretimin autentik të ligjit për lojërat e fatit, kemi marrë hapa të qartë dhe të vendosur për të larguar këto aktivitete nga qytetet tona, nga familjet tona, nga fëmijët tanë. Kjo nismë nuk ndalet këtu. Angazhimi ynë është të vazhdojmë me përkushtim deri në eliminimin e plotë të këtyre aktiviteteve që shkatërrojnë jetën sociale dhe ekonomike të mijëra familjeve.
Investimi prej 34.5 milionë euro për kampusin e Universitetit “Nëna Terezë”:
Një arritje tjetër e madhe është vendimi për investimin historik prej 34.5 milionë euro për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup. Ky projekt nuk është thjesht një ndërtesë, por një investim në të ardhmen tonë, në dijen dhe zhvillimin e rinisë shqiptare. Edukimi është themeli i një shoqërie të zhvilluar dhe ky investim i madh tregon angazhimin tonë për ta forcuar arsimin si një prej shtyllave të së ardhmes. Universiteti do të jetë jo vetëm qendër akademike, por edhe burim i inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.
Ndarja e 1 miliard eurove për komunat shqiptare:
Në këto 100 ditë, qeveria ka marrë një tjetër vendim strategjik, atë të ndarjes së 1 miliard eurove për komunat shqiptare, si pjesë e procesit të decentralizimit. Këto fonde do të shërbejnë për zhvillimin e infrastrukturës, përmirësimin e shërbimeve publike dhe ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët. Kemi siguruar që çdo investim të jetë i drejtpërdrejtë dhe me ndikim pozitiv në komunitetet lokale, duke i dhënë përparësi projekteve që ndihmojnë rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Lehtësimi i kalimeve kufitare:
Një nga sfidat më të mëdha për ata që udhëtojnë drejt vendit tonë, ka qenë pritja e gjatë në pikat kufitare. Për të zgjidhur këtë problem, në këto 100 ditë kemi miratuar vendimin për krijimin e pikave kufitare “one-stop shop” në Bllacë, Qafë Thanë dhe Tabanoc. Me këtë nismë, qytetarët do të kenë mundësinë të kalojnë kufirin më shpejt dhe pa pritje të gjata, duke lehtësuar qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit të verës, kur bashkatdhetarët tanë vijnë për të vizituar familjet e tyre.
Këto janë vetëm disa nga arritjet kyçe të këtyre 100 ditëve të para. Përveç tyre, kemi ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e politikave të gjelbra për një zhvillim të qëndrueshëm, për përmirësimin dhe forcinin e shëndetësisë, forcimin e institucioneve arsimore, sigurisë në vend, e zhvillimit ekonomik. Çdo vendim është marrë duke mbajtur në mendje interesin tuaj dhe të ardhmen e brezave të ardhshëm.
Kjo qeveri është e vendosur të funksionojë me një qasje të hapur dhe të përgjegjshme ndaj çdo qytetari. Nuk kemi ardhur për të qeverisur nga larg, nga selia e partisë, por për të qenë pranë jush, për t’ju dëgjuar dhe për t’ju shërbyer. Çdo funksionar qeveritar duhet t’i përgjigjet qytetarëve, të jetë i hapur për çdo çështje dhe të mos e trajtojë pushtetin si të përjetshëm. Ne jemi këtu për të mbrojtur interesat tuaja dhe për të krijuar një vend më të mirë për të gjithë, jo për t’i bërë familjarët tanë milionerë.
Të dashur qytetarë, këto 100 ditë kanë qenë vetëm fillimi i një rrugëtimi më të gjatë dhe të suksesshëm. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë me përkushtim maksimal për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për ju dhe për vendin tonë. Me mbështetjen tuaj, ne do të vazhdojmë të ndërtojmë një shtet më të fortë, më të drejtë dhe më të zhvilluar.
Me respekt dhe mirënjohje për besimin që na keni dhënë, ne jemi këtu për ju – sot dhe për çdo ditë që vijon.
M