7 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmeIsmail Arsllani / Një historik pak i njohur për Hidrocentralin e Tetovës

Ismail Arsllani / Një historik pak i njohur për Hidrocentralin e Tetovës

Hidrocentrali i Tetovës ishte ndërtuar nga fundi i vitit 1924. Së pari, me dritë elektrike ishte ndriçuar sheshi i qytetit të Tetovës, me gjashtë poçe elektrike, ndërsa çdo familje e interesuar ka pasur të drejtë të shfrytëzojë vetëm nga një poç elektrik. -Hidrocentrali i Tetovës asokohe i dha dritë edhe Shkupit. -Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për këtë hidrocentral ishte interesuar vetë Hitleri, duke urdhëruar që të jetë nën komandën e Vermahtit gjerman.

Në fillim të shekullit XX, Tetova përshkruhet si një “kasaba”, me 10-12 mijë banorë, me rrugica të ngushta e të pastra, ku është bërë tregti dhe ku kanë qenë të zhvilluara zejet e kohës. Brezat e tashëm nuk mund të imagjinojnë se në çfarë terri ka qenë i mbërthyer ky qytet. Llambat me vajguri kanë ndriçuar odat e burrave, si dhe rrugët më kryesore. Elektrifikimi ka qenë një punë e paimagjinueshme për atë kohë.

Ideja për rrymë elektrike në Tetovë, në dekadat e para të shekullit njëzet, paraqitet nga disa qytetarë që kanë pasur rast të qëndronin në ndonjë nga qendrat evropiane dhe kanë parë përparësitë e saj, por rrethanat e këtushme, para së gjithash ato historike-politike, nuk kanë lejuar realizimin e saj.

Sipas disa dokumenteve të Arkivit Historik të këtij qyteti dëshmohet se në vitin 1908, në Mexhlisin e xhonturqve ka qenë shtruar çështja e elektrifikimit të këtij rajoni, por kjo për shumë shkaqe nuk ka mund të realizohet. Më vonë, në vitin 1913 është formuar një Shoqatë Aksionare e qytetarëve më prestigjiozë, të cilët kanë mbledhur një kapital fillestar prej 100.000 dinarësh të atëhershëm, për ndërtimin e një hidrocentrali në grykën e lumit Shkumbin të Tetovës, por për shkak të rrethanave politike, ideja ka mbetur e pa realizuar.

Kjo çështje pas disa vitesh përsëri është aktualizuar. Nga fundi i muajit shkurt të vitit 1921, në hotelin e atëhershëm “Beograd”, është mbajtur një tubim i qytetarëve, ku kanë qenë të pranishëm edhe tetovarët më prestigjioz, të cilët kanë qenë bartës të disa zhvillimeve ekonomike, por që kanë pasur kapital dhe vizion për të ardhmen. Ky grup ka formuar edhe një Shoqatë Aksionare, e cila ka pasur për qëllim ndërtimin e hidrocentralit përgjatë rrjedhës së ujërave të rrëmbyeshëm të lumit Shkumbin, i cili ka burimet nga lartësitë e Sharrit.
Në atë kuvend të qytetarëve, është zgjedhur një Këshill prej 12 anëtarësh (4 shqiptarë), ku kryetar është zgjedhur Mihajllo Mihajlloviq, nënkryetar Mustafa Arsllani (gjyshi i autorit të këtij punimi), ndërsa anëtarë Mihajllo Neshoviq, Simo Mojsiq, Jakup Sulejmani, Kosta Parliq, Dushan Aleksoviq, Vehbi Izeti, Simo Shtakle, Sane Gule, Aco Todoroviq dhe Hafëz Xhemil Efendiu-Bambari. Është mbledhur një kapital fillestar prej 6 milionë dinarësh të atëhershëm. Dy anëtarë të Këshillit drejtues menjëherë janë nisur për në Beograd, ku kanë shtypur aksione në vlerë prej 12 milionë dinarësh. Në Beograd kanë kërkuar leje për ndërtim nga ministria e atëhershme, por kanë kërkuar edhe sigurim të planeve dhe të kuadrit për ndërtimin e hidrocentralit. Sipas disa të dhënave shtesë, ka pasur zgjerim të listës së aksionarëve në vitin 1927 dhe 1933, ku përmenden edhe Muhamed Halili (Saliu) dhe dr. Xhafer Sulejmani, ndoshta edhe ndonjë tjetër për të cilin nuk kemi dijeni.

Në ndërtimin e centralit janë kyçur inxhinierë nga Austria, Sllovenia, Çekia dhe Hungaria. Më së vështiri është ndërtuar tuneli, që do të çonte ujin te turbinat e hidrocentralit, të cilin e kanë ndërtuar inxhinierët e Sllovenisë dhe që është kryer në vitin 1922. Pajisjet për hidrocentralin janë siguruar nga firma “Ganc” e Budapestit dhe është montuar nga ekspertë të fabrikës që e kishte prodhuar.

Nga fundi i vitit 1924, hidrocentrali ishte kryer. Së pari, me dritë elektrike ishte ndriçuar sheshi i qytetit të Tetovës, me gjashtë poçe elektrike, ndërsa çdo familje e interesuar ka pasur të drejtë të shfrytëzojë vetëm nga një poç elektrik. Kompania suedeze “Erikson” ka qenë e kyçur me instalimin e pajisjeve të veta për nevojat e centralit, si dhe ka ndërtuar largpërçuesin deri në Shkup dhe tërë rrjetin instalues.

Ky hidrocentral, i pari i këtij lloji në Maqedoni, ka qenë krenaria e tetovarëve. Aq më shumë se sasitë më të mëdha të rrymës elektrike janë dërguar për ndriçimin e Shkupit. Tetovarët, asokohe, të mahnitur nga shkëlqimi i dritave elektrike, e quanin qytetin e tyre një “Paris të vogël”. “Mos të ishte Tetova, do të gllabërohej në errësirë Shkupi!”, shpreheshin me shpoti tetovarët.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur këto vise u okupuan nga italianët, sipas një dokumenti të ruajtur, dëshmohet se për këtë hidrocentral ka pasur dijeni edhe vetë Hitleri, i cili kishte dhënë urdhër të prerë: “Pavarësisht se ky rajon është nën administrimin italian, hidrocentrali duhet të mbetet nën komandën e Vermahtit gjerman”.
Objekti i hidrocentralit vërtet ishte drejtuar nga gjermanët, të cilët e kishin lyer me ngjyrë të përhirtë e të maskuar dhe përreth kishin mbjellë shumë akacie e bredha. Pas përfundimit të luftës, në shtator të vitit 1946, ky hidrocentral është nacionalizuar nga pushteti i atëhershëm dhe që atëherë është në pronë të shtetit, ndërsa si themelues asokohe u paraqit ndërmarrja publike “Elektro-Ekonomia” e Maqedonisë, sot ELEM apo EVN. Ndërkohë, trashëgimtarët e aksionarëve të dikurshëm kanë kërkuar denacionalizimin e hidrocentralit dhe kthimin e pronës mbi aksionarët, gjë që nuk ishte realizuar deri në skadimin e afatit.

Foto: Hidrocentrali i Tetovës i ndërtuar në vitin 1924

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments