Një ditë pas deklaratës së prokurores Ruskovska se Interpoli refuzon të shpall urdhër arrest ndërkombëtar për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, nga organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë në Lion të Francës, e kthejnë topin tek Institucionet vendore në Shkup. Të pyetur nga Alsat, se përse nuk e publikuan urdhër arrestin, siç thotë shefja e prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nga selia e Interpolit u përgjigjën:
Nëse ose kur policia në cilëndo nga 194 shtetet anëtare të Interpolit ndanë informacion me Sekretariatin e Përgjithshëm në Lion, lidhur me hetimet ose individët, atëherë ky informacion mbetet në posedim të atij shteti anëtar. Kështu, Interpoli nuk komenton raste ose individë konkret, përveç në rrethana të veçanta dhe me miratimin e shtetit anëtar në fjalë. Lidhur me kërkesën tuaj, do t’ju këshillonim të kontaktoni autoritetet përkatëse vendore” theksuan nga Selia e Interpolit.
Por, Rusoska dje tha se informacioni i fundit i marrë nga Interpoli është se selia e Interpolit në Lion nuk e publikon urdhër arrestin, pa shpjeguar pse. Për publikimin e urdhër arrestit për të arratisurin Gruevski, i cili fitoi azil politik në Hungari, prokurorët tanë presin më shumë se dy muaj. Interpol nuk e publikon as urdhër arrestin për ish-kundërzbuluesin Nikolla Boshkovski, i cili iku në Greqi. Gruevski e Boshkovski janë ndër të dyshuarit, si organizatorë të ndërhyrjes në Parlament më 27 prill. Ruskovska theksoi se për pesë persona, që ishin përfshirë në lëndën e dhunës në parlament, dhe që nuk ishin të kapshëm për organet, atëherë Interpoli pa problem lëshoi urdhër arrest.
Hetimi i organizatorëve të “së enjtes së përgjakshme” vazhdon, por Ruskoska thotë se është në përfundim.