Milan Radoiçiqit i është ngushtuar rrethi. Ai dhe 20 anëtarë të grupit të uniformuar serbë, që kryen sulmin terroristë në Banjskë, janë futur në listën e kuqe të Interpolit.
Personi që mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq, është futur në listën e kuqe të Interpolit, si person në kërkim ndërkombëtar.
Nenad Rashiq, ministër në Qeverinë e Kosovës, tha se kërkesa është bërë me ndërmjetësimin e UNMIK-ut, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Nga kjo ministri dhe autoritete të tjera të enjten nuk kanë pranuar të flasin, me arsyetimin se “është rast i ndjeshëm”.
E burime të KOHËS brenda këtyre institucioneve kanë thënë se pos Radoiçiqit, në kërkim nga Interpoli janë edhe 20 pjesëtarë të tjerë serbë që kryen sulmin në Banjskë, më 24 shtator, ku u vra një polic kosovar. Mes tyre, sipas burimeve është edhe Uglesha Jarediq, ish-shef i Njësisë Speciale në veri.
Interpoli për REL-in ka thënë se nuk i komenton rastet ose individët specifikë.
“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në të gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.
Radoiçiq është në Serbi. Ditë më parë, sipas autoriteteve serbe, atij i është konfiskuar pasaporta.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas lajmit për Interpolin, tha se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, do të përballet “me procedura serioze në Serbi”. Por nuk ka treguar nëse vendi i tij do të bashkëpunojë me Interpolin për këtë rast.
Kosova, meqë nuk është anëtare e OKB-së, nuk ka të drejtë të shtrojë direkt kërkesa në Interpol, mirëpo brenda Policisë ekziston një drejtori për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit, përfshirë edhe me Interpolin.