6.8 C
Tetovo
E premte, 10 Janar, 2025
BallinaLajmeInterpelancat, BDI: Kundër Qeverisë pro-ruse

Interpelancat, BDI: Kundër Qeverisë pro-ruse

Kuvendi nesër duhet të vazhdojë me punë me seancën e 29të. Pikat e vetme që do të diskutohen, janë interpelancat e ngritura nga Fronti Evropian, kundër zv.kryeministrit Izet Mexhiti, ministrit për marrëdhënie mes bashkësive, Ivan Stoillkoviq, ministrit të brendshëm Pançe Toshkoski, si dhe zv.ministrit të Brendshëm, Astrit Iseni. Një ditë para se të mbahet debati, nga BDI thonë se interpelancat janë me qëllim të mirë. Interpelanca ndaj Stoillkoviq është ngritur për të mbrojtur shtetin nga politikat e tij serbe dhe putiniste, ndërsa për Mexhitin për ta mbrojtur atë që mos bëhet si Stoillkoviqi.

“Ky veprim nuk është vetëm një kritikë ndaj tij, por një mundësi për ta shpëtuar atë nga rreziku i shndërrimit të tij në shëmbëlltyrë të po të njëjtës politikë, thjeshtë të bëhet “faqja tjetër e monedhës së njëjtë” që përfaqëson Stoilkoviqi. Në fakt, me këtë mocion mosbesimi duam t’i japim mundësi Mexhitit të braktisë homologun e vet Stoilkoviq dhe të tjerë që iu shërbejnë interesave të huaja, duke e vendosur pushtetin personal mbi interesin e përgjithshëm”, thonë nga BDI.

Por Mexhiti nuk mendon si BDI-ja. Shprehet se Qeveria aktuale po punon në drejtim të zhvillimit ekonomik, decentralizimit, luftës kundër korrupsionit dhe kthimit të shtetit ligjor.

“Nisen prej vetes ato, mendojnë se si mendojnë vet mendojnë edhe të tjerët. Ende i kemi të gjalla fotografitë para nesh kur krenoheshin dhe me shumë mburrje e pritnin Vuçiqin në Ohër. Krejt tendencat për destabilizim nuk kanë qenë për popullin apo qytetarët por për ti shpëtuar drejtësisë, veprave me korrupsion të lartë që ka ndodhur. Kësaj vulën ia ka vendosur partneri i tyre në Qeveri LSDM sot u distancua, tha se ne distancohemi. Koka e korrupsionit ka qenë BDI-ja”, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër.

Interpelancat kundër zyrtarëve nesër vështirë se kalojnë, duke pasur parasysh se edhe LSDM nuk do t’i mbështesë. Kjo për arsye se siç thanë një ditë më parë, nuk duan të bëhen pjesë e ndarjeve etnike. Interpelancat si të pabaza i quajti edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe tha se do të dështojnë.

Ndërkohë si pikë e pestë e rendit të ditës, është edhe interpelanca kundër kryetares së komisionit parlamentar për politikë sociale, demografi dhe të rinj, Ilire Dauti. Interpelanca është ngritur nga partia “E Majta”, me arsyetimin se Dauti disa herë si kryetare e komisionit, nuk i ka vendosur në rend dite propozim ndryshimet e ligjit për “branitellat”, edhe pse kjo vazhdimisht kërkohej nga deputetët e LSDM-së, VMRO-së por edhe “Të Majtës”. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ka njoftuar se për çdo interpelancë do të diskutohet veçmas, madje mund të diskutohet gjatë tërë ditës, varësisht prej asaj se sa deputetë do të paraqiten për fjalë. Megjithatë, deri në fund të ditës duhet patjetër të votohet./Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments