Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët informoi se në seancën e ardhshme plenare, e cila duhet të mbahet më 29 prill pritet të vendoset interpelanca për ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të parashtruar nga grupi i deputetëve të Të Majtës.
“Ende rrjedh afati për Rregulloren ku ministri mund të japë përgjigje me shkrim, kështu që në lidhje me këtë ta caktojmë seancën. Nëse nuk ka përgjigje edhe dy-tre ditë, do të duhet ta caktojmë sa më shpej që të jetë e mundur, gjegjësisht në seancën e parë të ardhshme. Presim që më 29 mund të realizohet kjo seancë ku pika e parë në rend dite do të jetë interpelanca”, tha Gashi.
“Arsyeja për interpelancën është se Toshkovski, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, e neglizhoi rëndë dhe në mënyrë të papërshtatshme detyrën e tij publike, duke vepruar në një mënyrë joprofesionale, të paskrupullt dhe të papërgjegjshme, gjë që çoi në një sërë veprimesh të paligjshme, skandalesh dhe transferimesh personeli në MPB”, tha deputeti i Të Majtës, Sashko Jançev, më 14 prill, kur informoi se po e dorëzonin interpelancën.
Kryetari i Kuvendit njoftoi një prezantim të dy mjeteve softuerike të cilat, siç tregoi ai, do të synojnë përmirësimin e digjitalizimit në Parlament si proces.
“Ky është një proces afatgjatë, një nga prioritetet kryesore të Parlamentit. Ne tashmë kemi zgjidhje konkrete. Në Parlament është bërë tashmë një prezantim i dy mjeteve të reja, softuerëve, të cilët do të synojnë përmirësimin e digjitalizimit në Parlament si proces dhe, sipas mendimit tim, do t’u sjellin dobi të gjithë qytetarëve dhe veçanërisht gazetarëve. Në mesin e majit, duam të organizojmë një prezantim të të dy softuerëve në Kuvend dhe presim të organizojmë një konferencë të nivelit shumë të lartë, shumë të rëndësishme për digjitalizimin, ku do të ketë ekspertë të nivelit të lartë nga Estonia, SHBA-ja etj”, theksoi Gashi.