Me rastin e gjashtëmujorit të sanksioneve të Maqedonisë së Veriut ndaj Rusisë, IPP Arbën Xhaferi ka analizuar të dhënat më të reja të Entit Shtetëror të Statistikave për tregtinë e jashtme (janar-qershor 2022).
Ndërsa vlera e përgjithshme e eksporteve drejt Rusisë mbetet konstante me rreth 25.5 milionë euro, ajo që bie në sy, është se vlera e importeve nga Rusia është 186.7 milionë euro, apo një rritje prej 405.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Katërfishimi i importeve ruse në kohë sanksionesh është shumë problematik edhe pse pjesa më e madhe, apo 75% e këtyre importeve, përbëhet nga gazi, çmimi i së cilit është rritur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, është e pafalshme varshmëria thuajse totale e Maqedonisë së Veriut nga gazi rus.
Duke marrë parasysh pozitën strategjike të Maqedonisë së Veriut, vendi do duhej të kishte ndërtuar që moti interkonektorin me Greqinë, gjë që do kishte mundësuar furnizim më të lirë dhe më të sigurt si për Maqdoninë e Veriut, ashtu edhe për Kosovën dhe Shqipërinë.