4.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeInstituti Arbën Xhaferi analizon indikatorët e punësimit: Rajonet ku jetojnë shqiptarët me...

Instituti Arbën Xhaferi analizon indikatorët e punësimit: Rajonet ku jetojnë shqiptarët me më së paku mundësi punësimi

Rajonet e populluara me shqiptarë kanë më pak mundësi punësimi, thonë nga Insituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi”.

Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar të dhënat për vendet aktive të punës dhe ato të lira në nivel shteti për tremujorin e katërt të vitit 2022, ndërsa Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi i ka analizuar këto të dhëna nga pikëpamja rajonale, përcjell Klan Maqedoni.

“Rajoni i Shkupit është dukshëm rajoni me më së shumti vende aktive të punës me 247.295 sosh, pasuar nga Pellagonia me 51.155 dhe Rajoni Lindor me 38.473. Rajoni Verilindor (Kumanova) është i fundit me 22.161 vende aktive pune, Pollogu (Tetova dhe Gostivari) i parafundit me 26.879, pas Rajonit Juglindor (Struga, Dibra dhe Kërçova) me 30.345. Krahasuar me popullsinë e përgjithshme të rajoneve, Pollogu, si rajoni i dytë më i populluar në vend, qëndron më së keqi me vetëm 762 vende aktive pune për 10.000 banorë, pas Rajonit Verilindor me 1.242 dhe atij Jugperëndimor me 1.614. Shkupi, i cili përbën 30.9% të popullsisë së përgjithshme, koncentron 50.5% të vendeve aktive të punës në nivel vendi. Pollogu, me 16.8% të popullsisë së përgjithshme, radhitet i parafundit sipas këtij kriteri me vetëm 5.5% të vendeve aktive të punës në nivel vendi. Dy rajonet tjera ku jetojnë shqiptarët radhiten krejt në fund me Pollogun, respektivisht Rajoni Juglindor me 6.2% dhe ai Verilindor me 4.5%”, thuhet në analizën e IPP Arbën Xhaferi.

Nga ky Institut thonë se politikat qeveritare që kanë ndikim direkt në krijimin e vendeve të reja të punës vazhdojnë të kenë qasje diskriminuese në baza rajonale dhe kombëtare.

“Kjo është e dukshme sa u përket investime kapitale, transfereve drejt nivelit lokal, orientimit të investimeve të huaja direkte apo edhe fondeve për invocacion. Përderisa nuk ka një ndërrim kahje nga lart, krijimi i vendeve të reja të punës në rajonet ku jetojnë shqiptarët do të vazhdojë të qëndrojë mbrapa krahasuar me rajonet tjera të vendit. Rrjedhimisht, shqiptarët, të cilët përbëjnë 2/3 e popullatës tanimë të larguar nga vendi, do të vazhdojnë të largohen në masë drejt perëndimit në kërkim të një jete më të mirë”, thuhet në analizën e IPP Arbën Xhaferi.

Sipas IPP Arbën Xhaferi, OECD-ja rekomandon që të ndërtohen strategji dhe sisteme të adaptueshme ekonomike lokale dhe që të përdoren të dhënat lokale për të informuar politikëbërjen, si faktorë të rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse./KlanMacedonia

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments