10.8 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaEkonomiInflacioni në Maqedoni vazhdon të rritet

Inflacioni në Maqedoni vazhdon të rritet

Rritja e çmimeve të prodhimeve ushqimore, por edhe të shërbimeve të ndryshme në vend nuk ka të ndalur. Këtë e ndejnë edhe qytetarët me zhvlerësimin e vlerës së parasë ku inflacioni në shtator arriti 16 për qind, e që tani me 1.000 denarë mund të blejnë shumë më pak gjësende se një vit më parë. Për më tepër, edhe importi i madh i energjenseve dhe ushqimeve, po ndikon negativisht në shkallët e larta të inflacionit Afrimi i sezonit të ngrohjes ka rritur edhe më shumë brengat e qytetarëve se si do të kapërcejnë dimrin, me çmimin prej gati 5000 denarë një metër dru, dyfishimin e çmimit të peletave, rritjen e rrymës para disa muajve dhe që pritet sërish të shtrenjtohet pas vitit të ri.

Ekonomistët thonë se pandemia që shkaktoi edhe ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit si dhe lufta në Ukrainë që ndikoi në çmimet e energjenseve dhe ushqimeve, vetëm se ka rënduar edhe më tej situatën ekonomike në Maqedoninë e Veriut, me një ekonomi të vogël dhe ku tronditjet e mëdha në ekonominë evropiane dhe botërore shkaktojnë pasoja të mëdha. Ekzekutivi deri tani ka ndërmarrë disa pako të ndihmave për qytetarët dhe biznesin për të zbutur pasojat e pandemisë, por edhe krizës së shkaktuar nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ndaj ekonomisë vendore, si rritja e pagës minimale, subvencionimin e bile 80 për qind të energjisë elektrike në tregun e rregulluar për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, ku janë paguar mbi 240 milionë euro, ka ulur marzhat dhe ngrirë çmimet, ulur akcizat e naftës për disa muaj, duke intervenuar që në vitin e kaluar që Shkupi të ketë furnizim të sigurt dhe stabil me ngrohje qendrore.

Nga ana tjetër, edhe Banka Popullore po përdor instrumentet e saja për të zbutur inflacionin me shtrenjtimin graduale të parave apo me rritjen e kamatës referente. Mirëpo, vlerësohet se edhe intervenimet e tilla nuk mund të jetë pakufi për shkak të hyrjes së madhe në borxhe të reja, që nesër do të duhet të kthehen.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, vlerëson se nëse i qëndrojmë parashikimeve në fund të vitit, inflacioni mesatar vjetor do të jetë 10 deri në 11 për qind. Sipas tij, kjo është normë e arsyeshme e inflacionit për ekonominë e Maqedonisë në një nga vitet më të vështira në vazhdën e krizave të ndryshme. Duke shtuar se është me rëndësi që vendimet e caktuara të sjellin uljen e presionit për rritjen e inflacionit në një nivel ku ai do të jetë i paqëndrueshëm. Eksperti ekonomik Borçe Trenovski nga ana tjetër, thotë se në pamundësi që të prodhojmë më shumë ushqime dhe energji në vend, pasoja të tilla të inflacionit dhe rritjes së çmimeve mund të zbuten deri diku por jo edhe të anulohen. Ai vlerëson se duke marrë parasysh se arka e shtetit nuk është e thellë në pafundësi dhe është e kufizuar, nevojitet që përkrahja financiare të orientohet atje ku ka më shumë nevojë.

“Kufizimet, ngrirjet e çmimeve dhe të ngjashme nuk ofruan rezultatet më të mira të mundshme dhe vetëm anuluan inflacionin e tanishëm për shkak edhe të kapacitetit modest institucional , por edhe për shkak të llojit të masave”, thekson Trenovski duke shtuar se edhe bizneset në pjesën dërmuese të rasteve, kanë kalkuluar në çmimet e tyre në shtrenjtimet që nuk ndalen, edhe përkundër uljes në nivel global të çmimeve të ushqimeve.

Ai sugjeron të parashikohen vauçerë për pensionistët dhe personat me të ardhura minimale, kthimin e TVSH-së për kategoritë e prekshme në aspektin social, ndihmë të drejtpërdrejtë për kategori dhe biznese të caktuara, suport për të paguar rrymën për amvisëritë e caktuara e kështu me radhë. Trenovski thotë se të gjitha analizat dhe vlerësimet e institucioneve serioze udhëzojnë se në periudhën e ardhshme ,apo deri në fund të këtij viti mund të pritet ngadalësim i inflacionit dhe ulje e dukshme e tij në vitin e ardhshëm. Nga Banka Popullore sqarojnë se dinamika e inflacionit, akoma është pasqyrim i faktorëve nga ana e ofertës, apo me fjalë të tjera diktohet nga rritja e çmimeve të importit të ushqimeve dhe energjisë elektrike, duke përfshirë edhe çmimin e brendshëm të energjisë elektrike, që ndikohet nga zhvillimet në tregun botëror të energjisë .Njëherësh duke marrë parasysh trendet afatgjate dhe nivelet më të larta të realizuara dhe të pritshme të çmimeve botërore të prodhimeve primare si ushqimet dhe energjisë , çrregullimit të zinxhirëve global të furnizimit dhe transmetimit të kostos në rritje të prodhimit ndaj çmimeve përfundimtare të prodhimeve dhe shërbimeve, që po ndikojnë në rritjen e pritjeve të inflacionit udhëzohet për udhëheqjen e politikave të kujdesshme vendore.

Njëherësh vlerësohet se rreziqet në anën e ofertës lidhur me lëvizjet e ardhshme të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, akoma janë të theksuara për shkak të luftës në Ukrainë, që edhe më tej sjell paqartësi lidhur me efektet që do të transmetohen në ekonominë vendore. Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, thotë se pas një dekade me inflacion të ulët, që nga viti i kaluar ka prirje të përshpejtimit të ndjeshëm të inflacionit në nivel global. Fillimisht pandemia, ndërsa këtë vit edhe konflikti ushtarak në Ukrainë, përmes kanaleve të ndryshme, shkaktojnë rritje të presioneve globale inflacioniste.

Inflacioni është në rritje në të gjitha ekonomitë, dhe veçanërisht në ato më pak të zhvilluara, ku më shumë se gjysma e tyre kanë inflacion më të lartë se 10 për qind . Në rajonin e Evropës Qendrore dhe Juglindore, inflacioni mesatar është rreth 15,5 për qind . “Inflacioni në vendin tonë gjithashtu u përshpejtua, duke pasur parasysh varësinë e lartë të ekonomisë tonë nga importi, veçanërisht varësinë në sektorin e energjisë, si dhe pjesëmarrjen e lartë të ushqimit dhe energjisë në shportën e konsumit. Ndonëse faktor kryesor i rritjes së inflacionit janë çmimet e ushqimeve dhe energjisë, rritja e tyre afatgjatë dhe konstante transferohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera dhe ndikon në pritjet inflacioniste, veçanërisht ato afatshkurtra. Në rrethana të tilla, bankat qendrore duhet të veprojnë me masat e tyre për të ulur inflacionin, duke marrë në konsideratë edhe rreziqet aktuale të rënies së perspektivës ekonomike. Kjo është arsyeja pse pothuajse të gjitha bankat qendrore po ndërmarrin veprime, duke përfshirë FED-in amerikan dhe Bankën Qendrore Evropiane. Kjo mënyrë e drejtimit të politikës monetare do të ndikojë në pritjet inflacioniste dhe do të kontribuojë në stabilizimin e lëvizjeve afatmesme të çmimeve”, shton Angellovska.

Sipas saj, rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve është e madhe dhe zgjat për një periudhë të gjatë kohore. Këto sfida në lëvizjet e çmimeve nuk janë të reja për politikëbërësit, por duke pasur parasysh pasigurinë e lartë nga dinamika e ardhshme në kushtet e trazirave gjeopolitike – është e nevojshme vigjilencë e madhe. Në rrethana të tilla, është e një rëndësie të madhe vendimmarrja e balancuar dhe e koordinuar e politikës monetare dhe fiskale.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments