Ushtria e Indisë ka thënë të mërkurën se operacioni i saj kundër Pakistanit është për të “vendosur drejtësi” për të vrarët në sulmin e muajit të kaluar ndaj turistëve hindu në Kashmirin e administruar nga India.
“Operacioni Sindoor u nis për të dhënë drejtësi për viktimat e sulmit të tmerrshëm terrorist të 22 prillit në Pahalgam dhe anëtarëve të familjeve të tyre”, ka thënë oficeri i ushtrisë indiane, kolonel Sofiya Qureshi në një konferencë për media në New Delhi, raporton AP.
Tensionet janë rritur midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore që nga një sulm në të cilin persona të armatosur vranë 26 persona, kryesisht turistë hindu indianë, në një livadh popullor në territorin e diskutueshëm të Kashmirit.India ka thënë më herët se ka goditur infrastrukturën e përdorur nga militantët e lidhur me masakrën e muajit të kaluar.
Zyrtarët indianë kanë fajësuar Pakistanin për mbështetjen e sulmit, diçka që Islamabadi e ka mohuar.
Ushtria indiane ka shfaqur të mërkurën gjithashtu harta që pretendojnë se tregojnë “kampe terroriste” në Pakistan dhe Kashmirin e kontrolluar nga Pakistani, teksa ka shtuar se nëntë prej këtyre kampeve janë “shënjestruar dhe shkatërruar plotësisht” si pjesë e operacionit.
India ka hedhur raketa në territorin e kontrolluar nga Pakistani në disa lokacione herët të mërkurën, duke vrarë të paktën 26 persona, përfshirë një fëmijë, në atë që shteti pakistanez e ka quajtur një akt lufte.
Autoritetet pakistaneze kanë thënë se 26 njerëz vdiqën në sulmet me raketa dhe pesë nga shkëmbimi i artilerisë përgjatë vijës së kontrollit që ndan të dy vendet në Kashmir.