Shitja e automjeteve në Maqedoni vitin e kaluar ka arritur shifra rekord për vetura të reja, kamionë dhe autobusë, ndërsa rritje e madhe është shënuar edhe në importin e automjeteve të përdorura.
Sipas të dhënave të Drejtorisë doganore, gjatë vitit 2024 deri më 31 dhjetor janë importuar 54.651 vetura, prej të cilave 13.168 të reja dhe 41.483 të përdorura.
Krahasuar me të dhënat e viteve të kaluara, importet e makinave të reja vitin e kaluar arritën në shifra që nuk janë regjistruar kurrë më parë që nga viti 2009. Kjo është kryesisht për shkak të blerjes së makinave të reja. Për herë të parë që nga viti 2009, kur u importuan 10.574 makina të reja, është tejkaluar barriera prej 10.000 automjetesh.
Kjo paraqet rritje serioze krahasuar me vitin 2023, kur janë importuar gjithsej 43,212 vetura, nga të cilat 9,999 të reja dhe 33,213 të përdorura. Rritja është e dukshme edhe te automjetet e reja, me gati 30%, por edhe te automjetet e përdorura me pak mbi 25 për qind.
Në vitin 2022 janë importuar 8.790 vetura të reja dhe 23.381 vetura të përdorura, që është përqindje e madhe e rritjes së importit, përkundër faktit se qytetarët e Maqedonisë nuk kanë asnjë subvencione nga shteti për blerjen e automjeteve të reja, qofshin ato me benzinë, me naftë apo elektrike, edhe pse automjetet e vjetra janë ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit jetësor.
Situata më e rëndë është me flotën e autobusëve, ku në vitin 2024 janë importuar vetëm 46 autobusë të rinj dhe 258 janë importuar si të vjetër.
Edhe pse është paralajmëruar në dy vitet e fundit, as qeveria e mëparshme dhe as kjo nuk kanë shprehur ndonjë synim për të shtrënguar masat për importin e automjeteve të përdorura, pra ndalimin e importit të atyre automjeteve që janë prodhuar para vitit 2009 dhe nuk përmbushin standardet EURO 5.
Partitë kryesore politike, nga ana tjetër, vetëm në mënyrë deklarative avokojnë për reduktimin e emetimeve të dëmshme nga gazrat e shkarkimit nga automjetet e vjetra.
Ndryshe, sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, numri i automjeteve të regjistruara në vitin 2022 ishte 569.871, prej të cilave mbi 483.000 ishin vetura me targa të Maqedonisë. Ndërsa, në vitin 2022, Shkupi e ka tejkaluar numrin prej 200.000 automjetesh në rrugë sipas numrit të targave të lëshuara.