Zvicra do të përballet me një nga çështjet më të ndjeshme në historinë e saj të kohëve të fundit këtë vit – sa njerëz mund dhe duhet të jetojnë në vend. Qeveria ka planifikuar një referendum për 10 qershor, në të cilin qytetarët do të vendosin për iniciativën “Jo një Zvicre prej 10 milionë banorësh”, të propozuar nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë (SVP).
Propozimi parashikon futjen e një kufiri të qartë demografik. Nëse popullsia e përhershme, aktualisht rreth 9.1 milionë, tejkalon kufirin prej 9.5 milionësh – gjë që vlerësohet të ndodhë rreth vitit 2035 – autoritetet do të duhet të vendosin kufizime për të sapoardhurit, duke përfshirë ribashkimin familjar dhe azilin. Nëse numri arrin në 10 milionë, qeveria do të jetë e detyruar të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, duke përfshirë tërheqjen nga marrëveshja e lëvizjes së lirë me Bashkimin Evropian.Këtu qëndron pesha më e madhe politike dhe ekonomike e iniciativës. Zvicra nuk është anëtare e BE-së, por prosperiteti i saj mbështetet shumë në marrëveshjet dypalëshe me Brukselin dhe qasjen në tregun e vetëm evropian. Rreth gjysma e eksporteve zvicerane përfundojnë në shtetet anëtare të BE-së, dhe marrëveshja e lëvizjes së lirë u lejon qytetarëve evropianë të jetojnë dhe punojnë në vend.
