1.4 C
Tetovo
E shtunë, 30 Nëntor, 2024
BallinaLajmeIlovica-Shtuka rrezikon arbitrazhin , Shukova: S’kemi dispozita për dalje nga situata

Ilovica-Shtuka rrezikon arbitrazhin , Shukova: S’kemi dispozita për dalje nga situata


Ministria e Ekologjisë nuk ka marrë asnjë kërkesë të re nga koncesioneri për të verifikuar nëse hapja e minierave në Illovica-Shtuka, mund të jetë e dëmshme për ambientin jetësor. Ministrja Kaja Shukova, deklaroi se resori i saj nuk mund të ngrejë vetë iniciativë për të nxjerr nga balta Qeverinë e cila mori një vendim më 27 Qershor për bashkimin e dy koncesioneve të minierës së arit dhe të bakrit, por që pas ditësh u bë pishman dhe pezulloi të njëjtin për një afat të pacaktuar. Ajo topin e hedh tek Ekonomia.

“Ky proces faktikisht ka ndodhur nga viti 2005, është e qartë që ky është proces i gjatë dhe u pezullua vendimi për bashkimin e koncesioneve në Illovicë. Si do të vazhdojë procesi më tej është në kuadër të resorit të Ministrisë së Ekonomisë. Ajo që mund ta ritheksoj është që pas shqyrtimit sërish të vendimit, Qeveria doli me qëndrim që ta anuloj Vendimin për bashkimin e koncesioneve”, deklaroi Kaja Shukova, Ministre e Ekologjisë.

Shukova tha se nuk ka dispozitë ligjore as rregullore që Qeveria ta obligojë Ministrinë Ekologjisë të bëj një elaborat apo çfarëdolloj forme të dokumentit që të dëshmoj se eksploatimi i xehes përmes përdorimit të materies helmuese Cianid, do të shkatërroj ujërat nëntokësore, bimësinë, madje edhe jetën e njerëzve në atë rajon. Megjithëse Ministri i Ekonomisë Bekteshi tha që një nga format për t’i shpëtuar shpagimit të dëmshpërblimin në gjykatën e arbitrazhit është një akt nga Ekologjia, Ministrja Shukova tha se nuk është dashur të nxitohet në sjelljen e vendimit me procedurë të shpejtë pa u konsultuar paraprakisht.

“Nuk mund të themi që ajo do të ndodhë me siguri! Ne si Qeveri i ndjekim zhvillimet, punojmë sipas ligjit. Nëse investitori potencial hap proces të arbitrazhit, normalisht që Qeveria do të kyçet në atë procedurë dhe i gjithë angazhimi ynë do të jetë në interes të qytetarëve dhe të shtetit dhe jo të humben mjete buxhetore. Ato proces mund ta udhëheqin shtëpi të posaçme arbitrazhi dhe shpresoj që do të mbyllet në interesin tonë”, tha Kaja Shukova, Ministre e Ekologjisë.

Saga e filluar që nga viti 2005 e këtej, në kohën kur në pushtet me BDI-në ishte VMRO-DPMNE, paraqiten dokumente të firmosura nga ministra e drejtorë institucionesh si Ministria e Ekologjisë, ajo e Ekonomisë, e Transportit dhe e Kulturës, të gjitha dhënë pëlqimet përkatëse që nuk ka pasur pengesë për minierën. Por, në 2019 për minierën e parë Illovica, u mor koncesioni për shkak të mos kompletimit të dokumenteve. Vendimi të cilin e shfuqizoi Gjykata Administrative, duke i dhënë të drejtë investitorit të huaj që pasi mori ndërkohë edhe koncesionin e dytë Shtuka, që janë ngjitur në territor, të kërkoj bashkimin e dy minierave.

Asnjë nga Qeveritë nga viti 2016 deri në qershor 2023 nuk kishin marrë Vendim për kërkesën specifike për të cilën Euromax ka kërkuar bashkimin e Koncesioneve “Illovica Shtuka”. Pas pezullimit, ata shprehen se do të përdorin të gjitha format juridike në afatet ligjore për të realizuar të drejtat e tyre. Koncesioneri Euromax Resources, planifikonte të investojë nga 400 deri në 500 milionë dollarë në Ilovica-Shtuka, prej nga do të eksploatoheshin xehet e arit dhe bakrit në tre dekadat e ardhshme. Sipas fakteve të publikuara nga kompania në shkurt 2013, në kantier duhet të ketë 119 tonë ar dhe 791 mijë tonë bakër. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments